Policia e Tiranës ka identifikuar dy persona të ishin shpallur në kërkim për vjedhje. Në pranga ka rënë një 34-vjeçar dhe një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë periudhës janar-qershor kanë vjedhur 10 biçikleta dhe motomjete elektrike, në lagje të ndryshme gjatë natës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Veprime intensive hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre.
Vodhën 10 biçikleta dhe motomjete elektrike, gjatë periudhës janar-qershor, identifikohen 2 shtetas, të dy të dënuar më parë për vjedhje. Vihet në pranga njëri prej tyre, procedohet në gjendje të lirë tjetri.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas kallëzimeve nga disa qytetarë, për vjedhjen e biçikletave dhe monopatinave të tyre, në lagje të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2, për zbardhjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë e mundur zbardhja e 10 rasteve të vjedhjes së biçikletave dhe motomjeteve elektrike, të kryera gjatë muajve janar, prill, maj dhe qershor, nga shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili u vu në pranga, dhe F. T., i cili po ndiqet në gjendje të lirë.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
