DURRËS- Katër persona janë arrestuar nga policia në Durrës pasi dyshohet se kanë vjedhur 3 makina, të cilat tashmë janë sekuestruar.
Në kuadër të operacionit ‘Three’, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Edison Gjyriqi, 22-vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Volksw agen”. Romeo Hima, 24- vjeç, Paolo Muho 25 vjeç, pasi në një parkim në lagjen nr. 1, Durrës, këta shtetas, duke u prezantuar si punonjës parkimi, dyshohen se i kanë vjedhur automjetin një shtetasi dhe janë larguar.
Afrim Agasi 53-vjeç banues në Ishëm, Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 15, Durrës, ka vjedhur automjetin tip “Benz”. Ky i fundit rezulton me precedent penal të mëparshëm në vjedhjen e mjeteve. Në 2022 u arrestua për vjedhjen e një kamioni në Tiranë.
Njoftimi i plotë
Reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur zbardhjen e vjedhjeve të tre automjeteve një ditë më parë, në Durrës. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës dhe Stacioni i Policisë Plazh, operacioni i koduar "Three". Kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, si autorë të dyshuar të vjedhjes së 3 automjeteve. Dy prej të arrestuarve, vodhën njërin prej automjeteve duke u prezantuar si punonjës parkingu.
Sekuestrohen 3 automjetet e vjedhura.
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Stacionit të Policisë Plazh, pas kallëzimit nga tre shtetas se u kishin vjedhur automjetet që kishin në përdorim, menjëherë kanë organizuar operacionin e koduar "Three". Në kuadër të këtij operacioni, brenda një kohe të shkurtër, është bërë e mundur të lokalizohen vendndodhjet e tre automjeteve të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të operacionit, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- A. G., 53 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 15, Durrës, ka vjedhur automjetin tip “Benz”;
- R. H., 24 vjeç dhe P. M., 25 vjeç, pasi në një parkim në lagjen nr. 1, Durrës, këta shtetas, duke u prezantuar si punonjës parkimi, dyshohen se i kanë vjedhur automjetin një shtetasi dhe janë larguar;
- E. Gj., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Volkswagen”.