Policia ka zbardhur një vjedhje të ndodhur dy vite më parë në banesën e Artur Sejdarasit në Goskovë të Korçës, ku u morën 600 mijë lekë të rinj. Si autorë akuzohen tre persona. 24-vjeçari Samuel Tepexhik është arrestuar nga policia ndërsa 21-vjeçari Andi Snaço ndodhet aktualisht në burgun e Reçit për një tjetër vepër penale.
Nën hetim është vënë një 16-vjeçar, nipi i pronarit të banesës, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me dy autorët. Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë detyruar djalin e Artur Sejdarasit që të merrte çelësat e kasafortës dhe të merrte shumën e parave që ndodheshin në të.
Ndaj 16-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore".
“Në vijim të hetimeve rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë detyruar djalin e shtetasit A. S. që të gjente çelësin e kasafortës që ndodhej në banesën e tij dhe të merrte shumën e parave prej kasafortës.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë ekzekutimi i masës së sigurisë për shtetasin A. Ç., 21 vjeç, banues në Goskovë (i arrestuar për një vepër tjetër penale), dhe u arrestua shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale "Vjedhja, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim" dhe "Shtytja e të miturve në krim"
Gjithashtu, u caktua masa e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", për 16-vjeçarin (nipin e pronarit të banesës), i dyshuar si bashkëpunëtor i autorëve", njofton policia.
Komente
