3 persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pas njoftimit të marrë nga Komisariati nr.2 se në rrugën “Sulejman Pitarka”, është vjedhur banesa e Th. Q, ku kanë marrë një kasafortë, brenda së cilës kishte disa bizhuteri të shtrenjta dhe një sasi parash. Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe një person i katërt.
Polica njofton se grabitja ka ndodhur rreth orës 19:00 në rrugën 'Sulejman Pitarka'. Në pranga kanë rënë E. J., 37 vjeç, banues në Tiranë, A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë si dhe D.P., 33 vjeçe, banuese po në Tiranë. Ndërsa në kërkim në lidhje me këtë është shpallur në kërkim K. P., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Operacioni i koduar 'Kasaforta' është finalizuar orët e para të mëngjesit të sotëm. Ndërsa për të fshehur gjurmët grabitësit e kishin hedhur kasafortën e vjedhur në lumin Erzen. Policia ka bërë të mundur që në lumin Erzen, në afërsi të Shijakut, të gjejë kasafortën që autorët kishin hedhur, si dhe gjatë kontrollit të banesave të tyre Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë: 41 ora të ndryshme të markave të shtrenjta, katër çelësa special për hapje dyersh, një automjet me targa AC 525 T, 11 lima për pastrimin e çelësave special, dy leva për hapje dyersh, një sasi monedhash metalike të llojeve të ndryshme, shtatë telefona celular, një elektrik (elektroshot), një sasi bizhuterish të ndryshme.
Policia njofton se nga hetimet e kryera rezulton se këta të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se janë edhe autorë të vjedhjes së banesës së E. Ç., ngjarje e datës 05.04.2019.
Ndërkohë po hetohet në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në grupin e grabitësve.
Komente

Ju lumte! Dhemb per dhemb me krimin!
Përgjigju