TIRANË- Katër persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur kasafortën e një biznesi në Sauk. Bashkim Sollaku, 53 vjeç, Endri Kolaci, 37 vjeç, Albert Çela, 40 vjeç, dhe E.GJ, 27 vjeç,nga Elbasani kanë shkuar në Sauk me qëllim vjedhjen e këtij biznesi.
Siç shihet edhe në këto pamje, vetëm dy prej tyre janë futur në ambientet e brendshme të biznesit. Pasi kontrollojnë përreth në disa sirtarë, më pas gjejnë kasafortën dhe e marrin atë me vete. Nga kasaforta kanë arritur që të marrin 4 mijë euro dhe 1 milionë lekë të vjetra dhe më pas e kanë hedhur në lumin Shkumbin në Elbasan.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 01.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Sauk, një kasafortë me 4000€ dhe 100 000 lekë, dhe më pas, kasafortën e kanë hedhur në lumin Shkumbin, në Elbasan”, njofton policia.
Biznesi është vjedhur më datë 1 mars dhe policia ka arritur që ta zbardhë ngjarjen 4 ditë më pas, pra më 5 mars. Ndërkohë, të tre personat kanë rënë në pranga, ndërsa në kërkim është vetëm 27-vjeçari E.GJ.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.