Një 42-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi ditën e djeshme kishte vjedhur një automjet në rrugën “Niko Avrami” po në kryeqytet me qëllim shitjen për skrap.
Pas marrjes së njoftimit të ditës së djeshme se një automjet në pronësi të E. A., ishte vjedhur në Tiranë, policia nisi menjëherë hetimet dhe vendosi në pranga Armando Alushin.
Alushi pasi e kishte vjedhur automjetin, e kishte dërguar në një pikë skrapi ku e kishte shitur. Sakaq, nën hetim është vënë dhe 38-vjeçari B. Gj., pronar i pikës së skrapit, ku u gjet automjeti i vjedhur.
“Vodhi një automjet në rrugën “Niko Avrami”, me qëllim shitjen e tij për skrap, vihet në pranga 42-vjeçari.
Procedohet penalisht pronari i pikës së skrapit.
Gjendet dhe sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, automjeti i vjedhur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Niko Avrami” ishte vjedhur një automjet, menjëherë organizuan punën me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 42 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, ditën e djeshme, në rrugën “Niko Avrami”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit E. A., dhe më pas e ka dërguar në një pikë skrapi, me qëllim shitjen e tij.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. Gj., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit në pikën e skrapit, në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua automjeti i vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Komente
