DURRES- Një 34 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se është bashkëpunëtor për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga një anije e sekuestruar në Porto Romano.
Drilon Malluta akuzohet se në bashkëpunim me Juxhin Kokën vodhën naftë kontrabandë nga anija “AYAZANOYBYA” të Tanzanisë, e sekuestruar më 13 janar të këtij viti me 200 ton naftë kontrabandë.
Malluta dhe Koka akuzohen se i dhanë 10 mijë euro ryshfet policit që ruante anijen Armand Marvataj dhe më pas naftën që nxorrën nga anija e sekuestruar e zëvendësuan me ujë
Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit Armand Marvataj (i arrestuar gjatë operacionit), Juxhin Koka (i shpallur në kërkim) dhe me pjesëtarë të ekuipazhit të anijes, për të vjedhur një sasi të konsiderueshme nafte nga një anije që ishte ankoruar në Porto Romano, pasi ishte sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Durrësit.
Arrestimi vjen pak ditë pasi më 9 shkurt u arrestua polici Marvataj. Burime pranë AMP dhe Policisë së Durrësit bëjnë me dije se paratë e marra ryshfet janë gjetur dhe sekuestruar, ndërsa polici Marvataj ka pranuar para kolegëve të tij marrjen e tyre kundrejt nxjerrjes së naftës. Nxjerrja e lëndës djegëse është bërë në mes të ditës, rreth orës 15:00 të 27 janarit në Porto Romano, ku anija ishte ankoruar që prej sekuestrimit me vendim gjykate.
Arrestimi është vijim i operacionit "Turni'
Drilon Malluta, 34 vjeç, banues në Durrës, dyshohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për kapjen e Juxhin Kokës të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit.
Materialet procedurale shtesë do të referohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për hetime të mëtejshme.
Komente
