TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi u shfaq këtë të premte në Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku njëjtë si lideri i saj, Sali Berisha, vijoi me fushatën për të nxirë Shqipërinë. Nga Strasburgu, Vokshi vijoi me akuzat se Shqipëria është një qendër kryesore për pastrimin e parave të drogës.
“Ajo që mund të duket si një çështje shqiptare, në të vërtetë është një kërcënim për sigurinë evropiane. Hetime të fundit nga Radio France dhe gazeta gjermane Die Zeit konfirmojnë atë që shumë shqiptarë e shohin çdo ditë me sytë e tyre: Shqipëria është kthyer në një qendër kryesore për pastrimin e parave të drogës, duke i shërbyer rrjeteve ndërkombëtare të trafikut, të cilat veprojnë në shumë vende të Bashkimit Evropian. Një nga mediat më të mëdha amerikane, Fox Neës, vetëm dy ditë më parë e quajti kryeministrin shqiptar “Ramaduro”, tha Vokshi.
Më tej, Vokshi foli edhe për lejet e ndërtimit dhe kullat në Shqipëri, që sipas saj po shërbejnë për pastrimin e parave. Dhe kjo sipas saj, është një kërcënim për të gjithë Europën.
“Siç shkruan Die Zeit, edhe arkitektët ndërkombëtarë të ftuar nga kryeministri Rama kanë shprehur shqetësimin se kush do t’i blejë këto kulla dhe nëse ata po shërbejnë në fakt për të legjitimuar pastrimin e parave. Pse e ngre këtë shqetësim? Sepse nuk është vetëm çështje e Shqipërisë. Kjo nuk po shkatërron vetëm ekonominë shqiptare, por po minon integritetin financiar evropian. Kur këto fonde kriminale pastrohen në Shqipëri, ato hyjnë sërish në BE, duke shtrembëruar tregjet dhe duke dëmtuar konkurrencën e ndershme. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit në të gjithë kontinentin tonë”, tha Vokshi.
Vokshi i bëri thirrje Asamblesë dhe Këshillit të Evropës të veprojnë, duke iu kërkuar që të hetojnë origjinën e kapitalit në bumin e ndërtimit në Shqipëri, të shqyrtojnë lidhjet politike-kriminale në nivelet më të larta të qeverisë dhe të mbështesin rritjen e ndërgjegjësimit në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe pse në fakt salla ku po fliste ajo, ishte bosh.
Komente
