FARKË, Tiranë - Tirana në volejboll për femra është një hap më pranë titullit kampion në Superligë. Vajzat e drejtuara nga Adrian Gorenca triumfuan 3-1 me sete kundër Skënderbeut (29 prill) dhe e dërgojnë në 2-0 serinë e ndeshjeve finale, duke qenë një fitore larg titullit kampion.
Sfida e parashikuar për të shtunën e kaluar u shty për shkak se ekipi i volejbollit të Skënderbeut u përfshi në një aksident automobilistik, për fat të mirë pa dëmtime serioze.
NDESHJA - Në parket vajzat bardheblu dominuan takimin duke e mbyllur 25-21 setin e parë. Edhe i dyti foli për vendaset 25-13. Skuadra korçare e mori veten në setin e tretë të fituar 21-25, teksa në atë final, Tirana fitoi 25-17 duke e mbyllur ndeshjen 3-1 me sete.
Më 2 maj në Pallatin e Sportit "Tamara Nikolla" në Korçë luhet ndeshja e radhës, aty ku Tirana ka mundësinë që me një fitore të shpallet kampione. Nga ana tjetër korçaret mund të rihapin garën nëse ia dalin të fitojnë.
Komente
