Tirana në volejboll për meshkuj ka mundur 3-1 me sete Erzenin dhe është fituese e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2022-23, njëjtë si një sezon më parë. Në Pallatin e Sportit në Farkë, bardheblutë e Arben Sakos kanë dominuar takimin në tre sete, teksa vetëm në setin e dytë shijakasit fituan.
Seti i parë foli 25-18 për Tiranën, ndërsa Erzeni barazoi 1-1 me sete me rezultatin 26-28. Në setin e tretë bardheblutë fituan 25-21, teksa në setin final Erzeni u duk i dorëzuar dhe Tirana fitoi sërish 25-19.
Me rezultatin final 3-1 me sete, Tirana mposht Erzenin në volejboll për meshkuj dhe merr trofeun e Kupës së Shqipërisë. 16 herë kampionët e Shqipërisë në volejboll për meshkuj janë rikthyer te suksesi në Kupë, aty ku ishin kampionë në fuqi, duke siguruar trofeun e nëntë. Në finalen e Kupës për femra, trofeu shkoi në Korçë, me Skënderbeun që mundi Partizanin.