Tirana e volejbollit për meshkuj bëri debutimin në Kupat e Evropës dhe konkretisht në turin e dytë të Challange Cup për fazën e 1/16. Në Pallatin Sportiv në Farkë, djemtë e Arben Sakos humbën 1-3 me sete kundër gjermanëve të Giesen. Në turin e parë Tirana kaloi izraelitët e Maccabi Tel Aviv në tavolinë, teksa këta të fundit u tërhoqën për shkak të luftës.
Sfida - Miqtë e nisin më mirë duelin, teksa u duken më të organizuar për të realizuar 5 pikët e para të takimit. Tirana provoi të reagonte, por Giesen e kontrolloi lojën, duke fituar bindshëm 16-25 në fraksionin e parë. Nëse u krijua ideja se do të ishte një shëtitje për skuadrën gjermane, Tirana rikthehet fuqishëm në setin e dytë.
Të mbështetur edhe nga publiku, me rreth 500 spektatorë të pranishëm, bardheblutë e përmirësuan ndjeshëm lojën, ndërsa për herë të parë në këtë takim e panë veten në epërsi, duke kaluar në 15-14, për ta ruajtur avantazhin, duke triumfuar 25-23 në setin e dytë.
Në setin e tretë u duk se Tirana do barazonte, por pas rezultatin 13-13, në fund seti u mbyll 20-25 për Giesen. Në setin e katërt miqtë nga Gjermania dominuan dhe fituan 16-25, për rezultatin final 1-3 me sete. Ndeshja e kthimit do jetë më 28 nëntor në orën 19:00.
Volejboll/ Tirana 1-3 Helios Giesen (16-25, 25-23, 20-25, 16-25)
Komente
