“Kabllo nënujore të prera, aeroporte të paralizuara dhe zgjedhje të vëna në shënjestër nga fushata ndikimi të rrezikshme. Kjo është luftë hibride.” Ursula von der Leyen i rikthehet sulmit kundër Rusisë dhe, në fjalimin e saj para Parlamentit Europian në Strasburg mbi shkeljet e hapësirës ajrore europiane, ajo rilançon idenë e një mbrojtjeje të përbashkët. Duke filluar me të ashtuquajturin "mur kundër dronëve".
“Atyre që ende dyshojnë, u them: një incident mund të jetë gabim. Dy, rastësi. Por tre, pesë, dhjetë? Dhe Evropa – paralajmëron ajo – duhet të përgjigjet.” Sipas presidentes së Komisionit, “Rusia dëshiron të mbjellë përçarje” dhe, meqë “misioni themelues i Bashkimit Evropian është ruajtja e paqes, duhet të pajisemi urgjentisht me një kapacitet strategjik reagimi, gati për t’u përballur me natyrën në ndryshim të luftës.”
Kryetarja e ekzekutivit të BE-së vë në dukje se “po asistojmë në rritjen më të madhe të shpenzimeve për mbrojtje në historinë e Unionit tonë” dhe se nevojitet “një plan gjithëpërfshirës panevropian, i koordinuar ngushtë me NATO-n, për mënyrën se si duhet vepruar.”
Pika e nisjes, sipas saj, është ndërtimi sa më i shpejtë i murit të dronëve, edhe sepse nuk mund t’u përgjigjemi dronëve me avionë luftarakë: “Është tepër e kushtueshme.” Një projekt, shpjegon von der Leyen, që do të mund të monitorojë edhe krahun jugor dhe të përballet me të gjitha kërcënimet, përfshirë krimin ndërkombëtar dhe migracionin e paligjshëm. Për ta arritur këtë, është e nevojshme të krijohen “grupe shtetesh anëtare” dhe të pranohet realiteti i ri duke dalë nga “zona jonë e rehatisë.”/La Repubblica
Komente
