Ursula von der Leyen

Bota

Von der Leyen: Evropa do të mbrojë territorin e saj, aleancë 6 mld dollarëshe me Kievin për dronët! Pezullim marrëveshjeje dhe sanksione ndaj Izraelit

10 Shtator, 09:33| Përditesimi: 10 Shtator, 11:17

  • Share

“Evropa është në një luftë. Një luftë për një continent të bashkuar dhe paqësor. Për një Evropë të lirë dhe të pavarur, për vlerat dhe demokracitë tona. Një luftë për lirinë tonë dhe aftësinë tonë për të përcaktuar fatin tonë”. Kështu deklaroi këtë të mërkurë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në fjalimin për Gjendjen e Unionit seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Von der Leyen theksoi se Evropa është e vendosur të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj, teksa paralajmëroi edhe një plan të qartë që do të paraqitet në Këshillin e ardhshëm Evropian për të krijuar projekte të përbashkëta mbrojtëse dhe atë që e quajti si një  ‘Semestër Evropian të Mbrojtjes’.

"Viti 2030 është nesër dhe Evropa duhet të përgatitet sot", tha ajo.

Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, presidentja e KE-së përsëriti rëndësinë e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, duke thënë se “liria e Ukrainës është edhe e Evropës”. Ajo njoftoi kredi të reja për Kievin nëpërmjet aseteve ruse. Këto kredi, tha ajo, Kievi do t’i shlyejë kur Rusia të ketë paguar dëmshpërblimet. Njoftoi gjithashtu edhe një hua prej 6 miliardë dollarësh nga G7-ta, për të krijuar një aleancë për dronët me Ukrainën.

"Paratë do ta ndihmojnë Ukrainën sot. Por ato do të jenë gjithashtu thelbësore për sigurinë e Ukrainës në afat të mesëm dhe të gjatë. Për shembull, financimi i forcave të armatosura të forta ukrainase si linja e parë e garancive të sigurisë", shtoi Von der Leyen.

Von der Leyen tha se është e rëndësishme që të investohet në mbrojtjen e krahut lindor të kontinentit, sepse në këtë mënyrë garantohet edhe siguria e Evropës. “Ne duhet t'i kushtojmë vëmendje thirrjes së miqve tanë baltikë dhe të ndërtojmë një mur me dronë. Ky nuk është një ambicie abstrakte. Është themeli i një mbrojtjeje të besueshme.", tha ajo.

Më tej, komentoi situatën e rëndë në Gaza, duke kërkuar që t’i jepet fund urisë që po përdoret si armë lufte. Von der Leyen propozoi pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit për çështjet tregtare me Iraelin si dhe sanksione ndaj ministrave ekstremistë e kolonëve të dhunshëm. Bëri me dije gjithashtu se muajin e ardhshëm pritet të mbahet edhe Konferenca për rindërtimin e Gazës, ku do të krijohet një Grup Donatorësh për Palestinën.

"Sigurisht, Evropa duhet të bëjë më shumë për Gazën. Shumë shtete anëtare tashmë e kanë bërë vetë. Jam e vetëdijshme se do të jetë e vështirë të gjesh një shumicë. Dhe e di se çdo veprim do të jetë i tepërt për disa, shumë pak për të tjerët. Por të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë tona: Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni." 

Ajo mbrojti marrëveshjen e kritikuar me SHBA-në për tarifat doganore, teksa tha se tregon stabilitet. Diplomatja theksoi se do të krijojnë një instrument të ri financiar për çelikun.

"Taksat doganore janë taksa. Por marrëveshja garanton stabilitet themelor në marrëdhëniet tona me SHBA-në në një kohë pasigurie të madhe globale”, shtoi ajo. 

Ajo tha se do të paraqesin së shpejti një Strategji Kundër Varfërisë, me qëllim zhdukjen  deri në vitin 2050. Von der Leyen të lançojnë edhe një paketë për prodhimin e baterive, me kapital aksionar 1.8 miliardë euro, për të rritur prodhimin në Evropë. Sipas saj, prodhimi i baterive janë kyç për teknologji të tjera, veçanërisht për automjetet elektrike. Makinat elektrike të prodhuara në Evropë, tha ajo, do të jenë një faktor kyç, për të arritur sipas saj pavarësinë e Evropës nga tregje të huaja, sidomos nga ai i Kinës.

Ora 10:50
Von der Leyen mbron marrëveshjen tregtare me SHBA: Më e mira e mundshme, instrument të ri për çelikun! Evropa duhet të ketë makinën e vet elektrike

1757491908_1536x864cmsv2b3393c94afde5b9a9246d1e66f849a839458490.webp

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Don der Leyen mbrojti marrëveshjen për tarifat doganore me SHBA-në, duke e vlerësuar si më të mirën të mundshme.

“Marrëdhënia jonë tregtare me Shtetet e Bashkuara është më e rëndësishmja. Ne eksportojmë mallra me vlerë mbi 500 miliardë euro në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Miliona vende pune varen prej saj. Si Presidente e Komisionit, kurrë nuk do të rrezikoj vendet e punës ose jetesën e njerëzve. Kjo është arsyeja pse arritëm një marrëveshje për të ruajtur aksesin në treg për industritë tona. Dhe i garantuam Evropës marrëveshjen më të mirë të mundshme. I vendosëm kompanitë tona në një pozicion relativisht të favorshëm. Sepse disa nga konkurrentët tanë të drejtpërdrejtë përballen me tarifa shumë më të larta të SHBA-së. Po, pika e tyre e fillimit mund të jetë më e ulët. Por duke marrë parasysh përjashtimet që kemi marrë dhe tarifat shtesë me të cilat përballen të tjerët, ne kemi marrëveshjen më të mirë. Pa dyshim.”, u shpreh Von der Leyen.

Njoftoi gjithashtu edhe një instrument të ri ligjor për çelikun e metale të tjera.

“Komisioni do të propozojë një instrument të ri tregtar afatgjatë për të zëvendësuar masat mbrojtëse të çelikut, të cilat tani po skadojnë. Evropa do të mbetet gjithmonë e hapur. Ne e duam konkurrencën. Por ne gjithmonë do ta mbrojmë industrinë tonë nga konkurrenca e padrejtë", u shpreh ajo.

Foli edhe për rëndësinë e makinave elektrike. Sipas saj, Evropa duhet të ketë makinën e vet elektrike dhe të mos varet nga tregje si ai i Kinës.

"Në përputhje me neutralitetin teknologjik, ne po përgatisim rishikimin e vitit 2035. Miliona evropianë duan të blejnë makina evropiane me çmime të përballueshme. Prandaj, ne duhet të investojmë edhe në automjete të vogla dhe të përballueshme. Unë besoj se Evropa duhet të ketë makinën e vet elektrike: miqësore me mjedisin, të përballueshme, evropiane. Nuk mund ta lejojmë Kinën dhe të tjerët ta pushtojnë këtë treg. Sidoqoftë, e ardhmja është elektrike. Dhe Evropa do të jetë pjesë e saj. E ardhmja e makinave dhe makinave të së ardhmes duhet të prodhohen në Evropë", tha ajo.

Ora 10:14
Lufta në Gaza/ Von der Leyen: Uria nuk mund të përdoret si armë lufte! Do të pezullojmë të gjitha fondet për Izraelin

1757492334_vonderleyen.webp

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në fjalimin e saj  për gjendjen e Unionit në seancën plenare të PE-së, komentoi situatën e rëndë humanitare në Gaza, teksa tha se uria nuk mund të përdoret si armë lufte. Imazhet që vijnë nga enklava, tha ajo, janë katastrofike, ndërsa apeloi që lufta të marrë fund.

"Ajo që po ndodh në Gaza ka tronditur ndërgjegjen e botës. Njerëz të vrarë ndërsa lypin ushqim. Nëna që mbajnë fëmijë të pajetë. Këto imazhe janë thjesht katastrofike. Prandaj dua të filloj me një mesazh shumë të qartë: uria e shkaktuar nga njeriu nuk mund të jetë kurrë një armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit, kjo duhet të marrë fund.", tha ajo.

Von der Leyen theksoi gjithashtu se do të pezullojnë të gjitha fondet për Izraelin.

“Komisioni do të bëjë gjithçka që mundet vetë. Ne do ta pezullojmë mbështetjen tonë dypalëshe për Izraelin. Do t’i ngrijmë të gjitha pagesat në këto fusha, pa kompromentuar punën tonë me shoqërinë civile izraelite ose Yad Vashem”, tha Von der Leyen.

Ora 10:06
Von der Leyen: BE-ja duhet të bëjë më shumë për Gazën, përçarja është e dhimbshme

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në Strasburg tha se BE-ja duhet të bëjë më shumë për situatën në Gaza.

"Më dhemb shumë t'i them këto fjalë. Dhe e di që, për shumë qytetarë, pamundësia e Evropës për të gjetur një rrugë të përbashkët është po aq e dhimbshme. Ata pyesin veten se sa më keq duhet të përkeqësohet situata përpara se të ketë një përgjigje të unifikuar. E kuptoj këtë. Sepse ajo që po ndodh në Gaza është e papranueshme. Dhe sepse Europa duhet të udhëheqë - siç ka bërë në të kaluarën.

Mbështetja jonë financiare dhe ndihma humanitare e tejkalojnë shumë atë të çdo partneri tjetër. Angazhimi ynë ndaj një Autoriteti Palestinez të besueshëm e mban gjallë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete. Dhe ne duhet t'i nxisim urgjentisht të tjerët të bëjnë më shumë gjithashtu - si në rajon ashtu edhe më gjerë. Por, sigurisht, Europa duhet të bëjë më shumë. Shumë shtete anëtare tashmë kanë ndërmarrë veprime individualisht. Nga ana jonë, ne propozuam pezullimin e disa pjesëve të programit tonë Horizon. Por vendimi është bllokuar, pa shumicë. Ne duhet ta kapërcejmë këtë pengesë. Nuk mund të përballojmë të mbetemi të paralizuar", tha Ursula von der Leyen.

Ora 09:47
Von Der Leyen: Shkelje e pamëshirshme e hapësirës ajrore polake, do mbrojmë çdo centimetër

"Vetëm sot, ne ishim dëshmitarë të një shkeljeje të pamëshirshme dhe të pashembullt të hapësirës ajrore polake dhe evropiane nga më shumë se 10 dronë rusë Shahed. Evropa shpreh solidaritetin e saj të plotë me Poloninë." Kjo u deklarua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në seancën plenare të Parlamentit Evropian. 

Ajo vijoi në fjalimin e saj me një njoftim që i përket vizionit dhe planeve të KE për mbrojtjen. "Evropa do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Në çdo vend që vizitova, dëgjova të njëjtin mesazh: nuk ka kohë për të humbur. Në Këshillin e ardhshëm Evropian, ne do të paraqesim një plan të qartë për të nisur projekte të reja të përbashkëta mbrojtëse, për të vendosur objektiva të qarta për vitin 2030 dhe për të krijuar një Semestër Evropian të Mbrojtjes" njoftoi Vond Der Leyen

Xh.K/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?