BRUKSEL-Komisioni Evropian përgjigjet ndaj tarifave amerikane prej 25% për importet e aluminit dhe çelikut, të cilat hynë në fuqi sot, të mërkurën më 12 mars.
Brukseli njoftoi se do të vendosë tarifa doganore "të forta, por të balancuara" për një sërë produktesh amerikane, duke nisur nga data 1 prill. Masat synojnë flukse tregtare me vlerë 26 miliardë dollarë, për të balancuar ndikimin e tarifave të vendosura nga SHBA.
Bashkimi Evropian "shpreh keqardhje të thellë" për masat e marra nga presidenti amerikan Donald Trump, thuhet në deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Këto janë kundërmasa të vendosura për të "mbrojtur" kompanitë, punëtorët dhe konsumatorët evropianë nga ndikimi i kufizimeve tregtare të pajustifikuara të vendosura nga SHBA, të cilat kanë goditur – pas lëkundjeve të fundit me Kanadanë – importet e çelikut, aluminin dhe disa produkte që përmbajnë këto lëndë të para, si nga BE ashtu edhe nga partnerë të tjerë tregtarë.
Siç thekson agjencia Bloomberg, vlera që po vihet në shënjestër tani është gati katër herë më e lartë se ajo e goditur gjatë mandatit të parë të Trump, kur SHBA vendosi tarifa mbi afro 7 miliardë dollarë eksporte metalesh nga BE, duke përmendur arsye sigurie kombëtare.
Deri në 6 miliardë euro tarifa shtesë
Në komunikatën e sotme të Brukselit thuhet se "tarifat amerikane do të prekin gjithsej 26 miliardë euro eksporte të BE-së, që përbëjnë rreth 5% të totalit të eksporteve", dhe se "bazuar në flukset aktuale të importit, importuesit amerikanë do të duhet të paguajnë deri në 6 miliardë euro tarifa shtesë."
Si kundërpërgjigje, BE do të vendosë tarifa mbi produktet amerikane të çelikut dhe aluminit, si edhe mbi tekstilet, produktet bujqësore dhe pajisjet elektroshtëpiake.
Përgjigjja e BE-së në dy faza
- Në fazën e parë, Komisioni do të lejojë që nga 1 prilli të skadojë pezullimi i kundërmasave të vendosura më parë, në vitet 2018 dhe 2020, gjatë valës së parë të luftës tregtare me Trump. Në këtë fazë, tarifat do të aplikohen mbi produkte si varkat, bourbon-i dhe motoçikletat, sqaron Brukseli. Këto masa synojnë të përgjigjen tarifave që SHBA ka vendosur mbi çelikun dhe aluminin e BE-së dhe që prekin një vlerë prej 8 miliardë eurosh eksporte.
- Në fazën e dytë, në përgjigje të tarifave të reja amerikane që prekin mbi 18 miliardë euro eksporte të BE-së, Komisioni po propozon një paketë të re kundërmasash ndaj eksporteve amerikane. Këto do të hyjnë në fuqi deri në mes të prillit, pas konsultimeve me shtetet anëtare dhe palët e interesuara.
Propozimi i Komisionit është që tarifat të përqendrohen te produktet industriale si çeliku dhe alumini, tekstilet, artikujt prej lëkure, pajisjet elektroshtëpiake, veglat e kuzhinës, plastika, produktet prej druri.
Gjithashtu do të përfshihen edhe produkte bujqësore si: shpendët, mishi i viçit, disa lloje prodhimesh deti, arrat, vezët, produktet e bulmetit, sheqeri dhe perimet. Kështu do të arrihet shifra e 26 miliardë eurove./LaRepublica
Komente
