Putini i ka hedhur fajin Europës për luftën e tij të vazhdueshme në Ukrainë. Ai është mburrur me ato që i ka quajtur ‘çarjet në ndërtesën evropiane’ dhe ‘unitetin e tronditur’ brenda Bashkimit tonë. Nuk e fsheh gëzimin e tij dhe mbështetjen ndaj të gjithë miqve të tij të bindur në Evropë që po bëjnë punën e tij për të.” Kështu u mbrojt Ursula von der Leyen në sallën e Strasburgut përpara votimit të dy mocioneve të mosbesimit të paraqitura kundër saj, që do të votohen të enjten e ardhshme. Presidentja e Komisionit Evropian akuzon kështu Patriotët e Le Pen dhe Orbán, si edhe të majtët, se po veprojnë në shërbim të Kremlinit për të dobësuar BE-në dhe për të justifikuar luftën kundër Kievit.
“Sipas saj – ky është mashtrimi më i vjetër në botë: të mbjellësh përçarje për t’i vënë evropianët kundër njëri-tjetrit. Është një kurth.” Udhëheqësja e ekzekutivit evropian është e bindur se edhe shkeljet e hapësirës ajrore në Estoni, Poloni dhe Danimarkë bëjnë pjesë në të njëjtën strategji: “Evropa ndodhet në gjendje gatishmërie të lartë.” Prandaj, thirrja e saj është për unitet kundër armikut rus.
Megjithatë, presidentja e Komisionit është e vetëdijshme se në Parlamentin Evropian po shtohen pakënaqësitë ndaj saj: që nga qëndrimi mbi Izraelin deri te çështja e tarifave doganore. Ajo ka premtuar më shumë “bashkëpunim” dhe u ka kërkuar të gjithë komisionerëve të jenë të pranishëm në debatin e djeshëm. Frika më e madhe është se shumica e saj tradicionale mund të shpërbëhet më tej. Megjithatë, është pak e mundur që mocioni i mosbesimit të miratohet.
Por se “armiku” i brendshëm po luan lojën e Kremlinit kuptohet nga fjalët e Jordan Bardella-s, përfaqësues i Le Pen: “Do të votojmë me kokën lart në favor të këtij mocioni mosbesimi. Ky është një votim kundër Europës së Macron-it, Europës së von der Leyen-it.” Grupi ECR, ku bën pjesë edhe Fratelli d’Italia – partia e Giorgia Melonit – si shpeshherë mban “një këmbë në dy anije” dhe lë “liri vote.”
E majta e The Left, ku bëjnë pjesë M5S dhe Avs, kërkon rrëzimin e saj. “Zonjë von der Leyen – paralajmëroi kreu i grupit, Manon Aubry – ju duhet të largoheni. Keni shoqëruar gjenocidin në Gaza.” Në mbrojtje të saj janë rreshtuar të gjithë pro-evropianët: PPE, S&D dhe Renew./La Repubblica
Komente
