Presidentja e Komisionit Evropian Von Der Leyen ka telefonuar sot Kryemininistrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në lidhje me zgjidhjen e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ajo thotë se Maqedonia e Veriut është në prag të një marrëveshje me Bullgarinë.
Ky hap i mundëson Komisionit Europian që të nisë procesin e shqyrtimit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sipas Von Der Leyen.
“Lajme të mirëseardhura që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, me mbështetjen e Francës, janë afër një marrëveshjeje që merr parasysh interesat dhe shqetësimet. Komisioni Evropian është gati të nisë procesin e shqyrtimit për Maqedoninë dhe Shqipërinë, hapin e radhës në rrugën e tyre evropiane”, shkroi Von Der Leyen në Twitter.
Në ditën e fundit të Presidencës franceze të Bashkimit Evropian, në qeverinë e Shkupit mbërriti zyrtarisht propozimi francez për zgjidhjen për heqjen e vetos bullgare me garancinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Macron-i tha se ka marrë dakordësinë e kryeministrit dhe presidentit të Bullgarisë për propozimin francez, dhe pret që diskutimet në qeverinë e Shkupit të jenë pozitive. Në Maqedoninë e Veriut pritet të nisin konsultimet e gjera në qeveri dhe partnerët e koalicionit, presidentin, parlamentin, opozitën dhe me shoqërinë civile.