Thomas Brdaric është trajner i Chennaiyin në Indi. Kroato-gjermani për dy sezone (2020-2022) drejtoi Vllazninë në Superligë, teksa për mediat në Indi ka treguar se kur pagat vonoheshin te Vllaznia ai i ndihmonte futbollistët duke i ftuar për drekë ose darkë.
“Dihet që pagesat në Shqipëri ndonjëherë vonohen. Nuk dua të kritikoj (klubin tim të mëparshëm) për atë që ndodhi. Në përgjithësi, përpiqem të mbështes të gjithë lojtarët e mi. Unë dua të di sesi janë futbollistët… nëse u mungon diçka… nëse kanë nevojë për diçka. Te Vllaznia nuk kishim lojtarë të paguar shumë. Jam përpjekur t’i mbështes ata gjatë gjithë kohës, nuk ka rëndësi nëse ishte në fushë apo jashtë saj", tha fillimisht trajneri.
Brdaric tregon se ai e ka zakon të ftojë lojtarët për dreka ose darka, duke pasur një venë "sociale në trup".
"Për mua, privatësia është shumë e rëndësishme. Me lojtarët e mi duhet të kem marrëdhënie dhe bashkëpunime të mira. Nëse jam në gjendje të ndihmoj dikë, do ta bëj këtë. U vonuan apo jo pagesat… nuk kishte rëndësi për mua. Doja të ndihmoja lojtarët. I siguroja ushqim, drekë apo darkë. Për mua është e zakonshme të ftoj lojtarët për ushqim. Unë kam një venë sociale në trupin tim", vijoi Brdaric.
Brdaric më pas ka treguar se ai e bën këtë gjë shpesh për të mbajtur bashkë ekipin, teksa iu bën me dije futbollistëve se nuk është një mik i tyre.
"Për t’u dhënë lojtarëve një ndjenjë të mirë…të kemi një bashkëpunim të mirë së bashku. Pastaj, ju mund të nxirrni më të mirën prej tyre. Por, në të njëjtën kohë, u them lojtarëve të mi se nuk jam miku i tyre. Duhet të ketë ekuilibër të mirë”, tha Thomas Brdariç.