Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve

Politikë

Vonesat në numërim, KQZ thirrje partive: Procesi i numërimit duhet të përfundojë brenda orës 24:00! Kush nuk e zbaton do merren masa

15 Maj, 11:40| Përditesimi: 15 Maj, 11:49

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë partive politike që kanë anëtarë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Grupet e Numërimit të Votave (GNV), duke kërkuar përshpejtimin e procesit të numërimit në zonat ku ende nuk ka përfunduar.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme."-thuhet në deklaratën e KQZ. 

KQZ thotë se  ‘nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati’, duke apeluar për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira.

Nga ana tjetër KQZ kërkon nga kandidatët për deputetë që të respektojnë të drejtën për të vëzhguar procesin pa ushtruar presion ndaj komisionerëve.

"Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve. Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit."-thuhet në deklaratën e KQZ. 

Në fund të deklaratës thuhet se paralajmërohen masa ndaj atyre që nuk zbatojnë afatin e caktuar.

"Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore."-përfundon deklaratën KQZ

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?