Banorët e njësisë 10 dhe ata të bashkisë Vorë, në 11 maj nuk do të votojnë me fletë votimi, por përmes pajisjeve elektronike. Ndaj KQZ nga sot, në të dyja këto njësi, ka vendosur qendra të lëvizshme testimi, për të mësuar zgjedhësit me këto makineri.
Ditën e votimit, zgjedhësve do t’ju shfaqen në ekran, 11 partitë politike, të renditura siç duken në këtë ekran skuadrat e futbollit, të cilat janë vendosur për ilustrim.
Pasi votuesi zgjedh partinë që do, duhet të shtypë butonin “konfirmo votën”.
Menjëherë pas kësaj, në ekran shfaqen emrat e kandidatëve të listës së hapur të kësaj partie, që për efekt shembulli në këtë ekran janë futbollistët e skuadrës që zgjodhëm.
Sistemi elektronik nuk të lejon të zgjedhësh më shumë se një kandidat nga lista, duke shmangur kështu shanset për votë të pavlefshme.
Pasi konfirmohet sërish vota, në ekran, votuesit i shfaqet partia dhe kandidati i saj që ka zgjedhur.
Nëse nuk kanë qenë këta emrat që qytetari ka dashur të zgjedhë, ka mundësi vetëm një herë ta ribëjë votimin. Në fund, printohet vota, dhe zgjedhësi ka mbaruar punë, brenda 2 minutash.
Çdo pajisje shoqërohet me një operator të KQZ-së, i cili duhet ta ndihmojë votuesin, por pa e nxitur të votojë për një subjekt të caktuar.
Në njësinë 10 dhe në Vorë këto qendra të lëvizshme testimi do të jenë çdo ditë prezentë, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve, që votuesit të shterojnë çdo paqartësi, përpara se të shkojnë të votojnë.
Njësia 10 votoi në formë elektronike në vitin 2021, ndërsa Vora në vitin 2023.
Në Vorë janë rreth 30 mijë zgjedhës, ndërsa në njësinë 10, 40 mijë. Mosbesimi i opozitës tek votimi dhe numërimi elektronik që shpall rezultatin brenda pak minutash, bëri që asnjë qark të mos votojë plotësisht përmes teknologjisë.
Komente
