Policia e Tiranës ka arrestuar 38-vjeçarin Fatjon Kuçi, pasi në aksin rrugor “Vorë-Maminas”, për motive të dobëta, ka ndezur një zjarr te bimët në afërsi të automjetit të parkuar. Si pasojë e flakëve, mjeti i parkuar u dogj pjesërisht.
Ndërsa po ashtu është vënë në hetim një 54-vjeçar, pasi akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, menjëherë pas njoftimit se në aksin rrugor “Vorë-Maminas”, po digjej një automjet, organizuan punën për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar përgjegjësin/t.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Motivi”, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi F. K., 38 vjeç, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ndezi zjarr te bimët në afërsi të automjetit të parkuar të shtetasit M. Gj.. Si pasojë automjeti i këtij të fundit, u dogj pjesërisht.
Nga hetimet e mëtejshme ka rezultuar se 38-vjeçari shoqërohej gjatë kryerjes së krimit, nga shtetasi A. D., 54 vjeç, për të cilin nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
