Opinion
Periferi

Vota e 11 majit dhe fjalët magjike në Preambulën e Kushtetutës sonë

30 Prill, 22:25| Përditesimi: 30 Prill, 22:30

  • Share

Të gjithë shqiptarët që do të shkojnë të votojnë me 11 maj 2025 duhet të lexojnë vetëm pak rreshta para se të marrin vendimin se për kë do të votojnë. Janë më pak se 10 rreshta, ku presje pas presjeje, rënditen me një frymë, aspiratat e një vendi të vogël, por me zemër dhe ëndrra të mëdha. Si diamantët e një gjerdani të çmuar, në Preambulën e Kushtetutës sonë, shkruhet një deklaratë solemne që paraqet parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar ajo, si dhe vizionin për të ardhmen e shtetit shqiptar.

Pak herë i hedhim sytë mbi Kushtetutën tonë. Shpeshherë jemi mësuar të shpërfillim, të zvogëlojmë, të bëjmë qesharake çdo institucion, rol apo detyrë publike. Çdo gjë që përmban fjalën shtet, disa politikanë e kanë anatemuar aq keq sa e kanë zhvleftësuar. Por vjen një moment që edhe manipulimi më mjeshtëror, i thurur me dinakëri nga individë që prej Shqipërisë vetëm kanë përfituar, rrëzohet si një kështjellë rëre duke nxjerrë në dritë diamantët e vërtetë, mbuluar prej viteve të baltës, pluhurit dhe intrigave. Këto diamantë janë vlerat njerëzore të shqiptarëve dhe dëshira e madhe e secilit prej nesh për t’i vendosur në piedestalin e duhur.

Ja si tingëllon Preambula e Kushtetutës sonë:

“Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlerat e trashëgimisë sonë të shquar shpirtërore, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me aspiratat shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, duke i kushtuar të gjithë energjitë tona mbrojtjes së dinjitetit dhe personalitetit të njeriut, për mirëqenien shpirtërore dhe shoqërore të gjithë qytetarëve tanë, për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve, me vendosmërinë për të kontribuar për ndërtimin e një Evrope të bashkuar dhe një bote më të drejtë,

MIRATOJMË KËTË KUSHTETUTË…”

E më pas, njëri pas tjetrit vijojnë nenet, që duhet të sigurojnë harmoninë dhe barazinë në shoqërinë tonë. Nene shpesh të injoruar, të mbuluar, të kapërcyer vetëm e vetëm për t’iu shërbyer disa lloj politikanësh nga të cilët duhet të ndahemi përgjithmonë.

Hyrja e Kushtetutës sonë, në të vërtetë, është më shumë se një deklaratë formale; ajo është një pasqyrë e idealeve më të larta dhe një udhërrëfyese morale dhe politike për drejtimin e shtetit. Nëse e lexojmë dhe e rilexojmë do të vëmë re se aty përmenden vlera që shkojnë përtej interesave të ngushta: krenaria kombëtare, shteti i së drejtës, demokracia, liritë themelore, bashkimi kombëtar, dhe kontributi në ndërtimin e një Evrope të bashkuar dhe një bote më të drejtë. Në këtë kontekst, zgjedhjet e 11 majit 2025 janë një mundësi vendimtare për qytetarët shqiptarë për të vënë në jetë këto parime kushtetuese. Nuk mjafton vetëm votimi; duhet përqëndrimi dhe zgjedhja e atyre politikanëve që me vepra konkrete personifikojnë këtë vizion të përbashkët kombëtar.

Hyrja e Kushtetutës sonë flet për përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm. Kjo do të thotë se politika nuk mund të udhëhiqet nga interesa të momentit, por nga një vizion afatgjatë për mirëqenien dhe zhvillimin e vendit. Shqiptarët duhet të kërkojnë kandidatë që ofrojnë zgjidhje reale, jo premtime boshe. Pa drejtësi dhe institucione të forta, asnjë nga aspiratat tona nuk mund të realizohet. Votuesit duhet të zgjedhin ata që mbrojnë pavarësinë e drejtësisë, luftojnë korrupsionin dhe respektojnë Kushtetutën si ligjin më të lartë të vendit.

Hyrja i jep rëndësi dinjitetit dhe personalitetit të njeriut. Kjo do të thotë se qeverisja duhet të vendosë qytetarin në qendër: me shërbime cilësore, me arsim dhe shëndetësi dinjitoze, me ekonomi që krijon mundësi të barabarta për të gjithë, duke vigjëluar që askush të mos nëpërkëmbet, cilido qoftë ai, cilatdo bindje politike apo fetare të ketë. Politikanët që duhen zgjedhur janë ata që nuk përçajnë shqiptarët, por i bashkojnë; ata që respektojnë kulturën, gjuhën, historinë dhe besimet fetare të çdo shqiptari, kudo që ndodhet.

Shqiptarët duhet të mbështesin politikanë që e shohin Shqipërinë si pjesë aktive të Evropës dhe botës demokratike – duke punuar për reforma, për drejtësi të pavarur dhe për bashkëpunim ndërkombëtar, jo izolim apo populizëm të rremë. Zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk janë thjesht një zgjedhje pushteti. Ato janë një moment kyç për të rikthyer në vëmendje thelbin e Kushtetutës, për ta bërë atë përherë e më shumë realitet. Shqiptarët kanë fuqinë, i kanë mjetet, e kanë Kushtetutën, këtë Bibël të demokracisë, që përmes votes të zgjedhin përfaqësues që nuk shërbejnë vetveten, por krijojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Kjo Preambul dhe Kushtetuta e tërë është bërë po nga shqiptarë që sot janë mes nesh ose jo, që e kanë respektuar atë që kanë shkruar ose jo, por ata, të gjithë bashkë, e kanë shënuar të qartë, e kanë shënuar të zezë mbi të bardhë rrugën tonë. Dhe nga kjo rrugë nuk kthehemi dot.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kontrata e lobimit të PD, besoni se SPAK do zbulojë burimin e financimit?