TIRANE- Janë 245, 975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që janë regjistruar për të pasur mundësinë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
KQZ mbylli mesnatën e 4 marsit aplikimet online dhe sot përfundoi dhe procesimi i kërkesave të mbetura nga 294,155 që ishin bërë deri në mbarim të afatit.
Ndërsa u është refuzuar kërkesa për 48,180 për shkak të gabimeve në fazën e rregjistrimit apo dokumentacionit jo të plotë.
Rregjistrimet e zgjedhësve nga jashtë vendit, tejkaluan pritshmëritë fillestare si të Komisionit Qendror të zgjedhjeve ashtu dhe të vetë partive politike. Numri më i madh i shqiptarëve të regjistruar është nga Italia me 91,223 , renditur më pas nga Greqia me 68,386 zgjedhës të regjistruar.
Sipas parashikimeve ligjore, vota e migrantëve do të llogaritet në qarkun ku ata kanë residencën në Shqipëri. 52,425 votues të regjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me 32,559 votuesë nga jashtë dhe Durrësi e Elbasani me 25 mijë të tillë
Brenda datës 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë listën paraprake të këtyre zgjedhësve. Emrat e tyre do të hiqen më pas nga lista e votuesve në Shqipëri.
Shifrat e deritanishme të të rregjistruarve, dëshmojnë se vota e migrantëve mund të ketë një ndikim jo të pakët, veçanërisht në qarqet, ku mandati i fundit mes palëve, është ndarë në të kaluarën, me një diferencë të ngushtë votash. Një fenomen i parë kryesisht në disa qarqe të vogla, por dhe në ato me shumë deputetë, si në rastin e Fierit.
Komente
