Politikë

Vota e diasporës, Berisha vijon me akuzat: U manipuluan nga patronazhistët, të përfshirë edhe zyrtarët e ambasadave! KQZ nën urdhrat e Ramës

29 Maj, 14:33| Përditesimi: 29 Maj, 17:05

  • Share

TIRANË- Pas akuzave në Kuvend, Sali Berisha u shfaq në selinë blu për të 'faktuar' farsën elektorale të 11 majit. Duke theksuar se zgjedhjet parlamentare nuk do t’i njohin kurrë, kësaj radhe Berisha prezantoi disa video në të cilat pretendon se shfaqet një patronazhist i Partisë Socialiste që mblidhte votat e diasporës dhe i sillte në Tiranë. Madje, sipas Berishës ai vepronte me urdhër të drejtuesit politik të PS për diasporën, Taulant Balla.

“Kemi sjellë disa foto dhe video, që faktojnë se patronazhisti është personi që merr në dorë votën e diasporës. I cili drejtohet direkt nga famëziu Taulant Begojaris. Ja ku e keni. Krenar njëri me tjetrin për krimin që kryejnë. Ja ku është. Votat në duart e partisë së krimit.

Ky është vetëm një episod, ose një dëshmi, një fakt. Ekzistojnë të tjera në të cilat votat e diasporës u shtetëzuan dhe u manipuluan në shkallën që deshi, partia e krimit. Në shkelje të plotë të kontratës, dhe sigurisht ka vetëm një konkluzion: këto zgjedhje nuk mund të njihen kurrë”, tha Berisha.

Berisha thotë se kompania shkeli kushtet e kontratës duke nënkontraktuar kompani për ndarjen e zarfeve, ndërsa akuzoi edhe Postën Shqiptare, duke thënë se “shtriu duart në proces”.

“E shikoni njeriun e Taulant Ballës, jo me një votues por me punonjës të DHL-së. Ju e patë personin, edhe në takim me Taulant Ballën edhe në foto dhe kjo dëshmon qartë për duart e zeza të Partisë së krimit brenda DHL-së. Këtu jemi brenda DHL-së, punonjës, jemi brenda.

Tani, cila pikë e kontratës është shkelur, është shkelur pika kryesore e kontratës; nuk mund të kishte subkontraktor. Dhe subkontraktimi u shkel pikërisht për tu nënkontratuar kompanitë që punuan ngushtë me PS-në, përfshirë Postën Shqiptare që shtriu duart në këtë proces. Pra shkeljet janë flagrante”, u shpreh Berisha.

Akuza hodhi edhe ndaj zyrtarë të ambasadave për manipulim të votave të diasporës.

“Ky që e shihni ju me këto, i fut në një zyrë tjetër dhe i mbush vetë. Shihe. Kështu që kjo tregon se nuk ishte proces, por ishte një gjë që u bë në zyrat e partisë, nga njerëz të partisë. Të paguar janë, një pjesë janë të paguar. Kanë marrë pjesë dhe ish-zyrtarë dhe zyrtarë të ambasadave.

Asnjë nga këto të mos ishte, mjafton implikimi i postës shqiptare dhe ikën ai proces. Kurrë ne nuk do të ftonim të votonim me një postë që kalon nga Posta Shqiptare. Ajo dihet se kush kalon në postën shqiptare”, tha Berisha.

Sulmoi edhe KQZ, duke thënë se zbaton porositë e Edi Ramës.

“KQZ-ja zbaton porositë e Edi Ramës. KQZ ka kontratën, dhe KQZ e di që kushti ynë ka qenë, jo nënkotraktor.  Por duheshin nënkontraktorët që një njeri të mbushte 30 mijë vota. Ti çoje në Greqi, janë punonjës. Prandaj del fiks, kaq vota do i jepen PD-së, të tjerat do i marrë PS-ja.  Nuk ka asgjë këtu. Janë qindra e mijëra vota që nuk kanë firmën e marrësit. Mungojnë 40 mijë vota, janë përdorur këtu brenda për të mbushur kuti dhe për të ndryshuar rezultate”, vijoi Berisha.

Kreu i PD tha se detyra e çdo demokrati është largimi i Edi Ramës nga pushteti, qeveria teknike dhe vota e lirë.

Ora 15:35
Berisha mbledh drejtuesit e qarqeve, u kërkon prova për parregullsitë që pretendojnë në 11 maj

1745949695_partiademokratike.jpg

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit politikë të qarqeve, që ka zgjatur rreth 30 minuta. Në fokus të takimit ka qenë mbledhja e të dhënave dhe provave për parregullsitë dhe manipulimet e pretenduara në zgjedhjet e 11 majit.

Çdo drejtues pritet të dorëzojë një raport të detajuar mbi problematikat e evidentuara në zonën që mbulon, të cilat do të përfshihen në një përmbledhje zyrtare që po përgatitet nga PD.

Ky raport do t’i dërgohet më pas kancelarive ndërkombëtare dhe faktorit ndërkombëtar, me synimin për të treguar, sipas PD-së, se zgjedhjet nuk janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?