Politikë

Sulme kibernetike sistemeve të KQZ gjatë zgjedhjeve, Celibashi: Të organizuara nga jashtë, zero implikim, i zmbrapsëm! Pretendimet e PD për diasporën? S’ka vota të trafikuara

22 Maj, 12:46| Përditesimi: 22 Maj, 14:26

  • Share

TIRANË- Sistemi i regjistrimit të emigrantëve, faqja zyrtare e KQZ dhe platforma që transmetonte rezultatet e zgjedhjeve në kohë reale, janë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme nga hakera të specializuar. Celibashi theksoi se kanë qenë sulme kibernetike të organizuara nga jashtë dhe i krahasoi me sulme të ngjashme në vende të tjera si Franca apo Estonia.

"Mund të bëj publike sot se platformat e KQZ, duke filluar nga jo e regjistrimit të votuesve nga jashtë, janë gjendur nën sulme kibernetike. Kemi komunikimin me institucione përkatëse, si ato të sigurisë kibernetike dhe sot që lidhen me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve sa herë që janë evidentuar.

Nga informacionet që kemi, një pjesë e këtyre sulmeve nuk kanë qenë sulme diletantësh, por kanë qenë të organizuara dhe të sofistikuara dhe jo rastësore. Kanë qenë të gjitha nga jashtë, të krahasueshme me sulmet që kanë pasur vende të tjera për situata të ngjashme, si Franca, Estonia", tha Celibashi. 

Por, kreu i KQZ garantoi se në asnjë rast sulmet të kenë ndikuar në sistem, duke theksuar se kanë arritur t’i zmbrapsin ndërsa kanë njoftuar edhe autoritetet përkatëse.

"Ia kemi dalë të kemi zero implikim në sistemet tona, ia kemi dalë t’i zmbrapsim të gjitha këto sulme. Qoftë në rastin e PER që ka ofruar siguri të plotë në çdo pikëpamje, por edhe aplikacionet e tera të KQZ, përfshirë dhe faqen dhe modulin e transmetimit të rezultateve".

Sa i takon pretendimeve të PD, për manipulim të votave të diasporës, Celibashi i përgjigjet duke thënë se nuk ka vota të trafikuara, ndërsa shtoi se brenda ditës së sotme kompania DHL do të  dorëzojë dokumentacionin që tregon se si është bërë shpërndarja e fletëve të votimit.

S’ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara, mbetet të vlerësojmë pretendimet se sa është respektuar integriteti i votës së shqiptarëve në procesin e marrjes së fletëve të votimit dhe kthimit përmes shërbimit postar", tha Celibashi.

Sa i takon të dhënave për procesin e votimit të diasporës, Celibashi tha se i vetmi vend ku nuk arritën që të shpërndajnë fletë votimi ishte Rusia, ku ishin regjistruar rreth 16 zgjedhës me vendndodhje në Moskë. Ndërkohë, rreth 82% e votuesve morën pjesë në votim, ndërsa procesi i numërimit zgjati 8 ditë.

“85 shtete të botës nga çdo kontinent që u regjistruan votuesit nga jashtë. Procesi i përgatitjes së dok zgjedhor nisi më 14 prill dhe përfunduan më datë 17 prill. Dërgesat e para u bënë rreth datës 12 dhe në datën 17 pritëm edhe dërgesat e para të votuesve nga jashtë. 29 prilli dita me numrin më të madh të votave të mbërritura në KQZ. Nuk mund të dërgonin dokumentacion vetëm 16 zgjedhësve në Rusi. Kanë marrë pjesë në votimi 82%  zgjedhësve, dhe nëse e vlerësojmë në raport me numrin e atyre që e kanë marrë shkon gati në 97%”, tha Celiabashi.

“I gjithë dokumentacioni i administrua në kuti që përmbanin sipas rregullsisë këtë dokumentacion, të ndarë në dy grupe në 945 kuti u administrua dokumentacioni që ishte i rregullt dhe në 14 kuti dokumentacioni i cili pasi u hap zarfi DHL u konstatua që nuk ishte në përputhje me protokollin e KQZ, Kemi pasur kuti të tilla nga 1 për çdo qark dhe 2 për Tiranën”, tha Celibashi.

I implementuar për herë të parë, Celibashi tha se tashmë “votimi nga jashtë është procesi i pakthyeshëm”.

Ora 13:26
Pretendimet e PD për votën e diasporës/ Celibashi: S’ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi flet edhe për pretendimet e Partisë Demokratike për manipulim të votave të diasporës. Në një konferencë për mediat, Celibashi i tha gazetares së Report Tv, Esiona Konomi se nuk ka fletë votimi as të shtuara dhe as të trafikuara, por shtoi se mbetet për t’u vlerësuar pretendimet për shpërndarjen e votave nga kompania postare DHL. Për këtë të fundit, thotë se brenda ditës së sotme pritet të dorëzojë të gjithë dokumentacionin  që tregon se si është bërë shpërndarja e fletëve të votimit.

"Respektoj opinionin dhe vlerësimin e çdo kujt për procesin e zhvilluar. E them pa hezitim jashtë çdo lloj interesi, se administrimi i këtij procesi nga KQZ është model. Duke thënë këtë nuk dekurajoj askënd dhe respektoj dhe njoh të drejtën e gjithkujt për ta kontestuar dhe prezantuar çfarë është mbështetëse e pretendimeve të tij, për çfarë ai mendon se ky proces nuk është zhvilluar ashtu sikurse do duhej të zhvillohej. Kemi të gjithë dokumentacionin apo elementë të tjerë që konfirmojnë atë që thash, që ky proces është zhvilluar model. Çfarë është zhvilluar nën përgjegjësinë e KQZ, jap garanci të plota që standardi, integriteti i asaj çfarë është administruar në KQZ është i plotë. Kemi të gjitha provat jemi të gatshëm ti japim përgjigje çdo lloj kërkese apo pretendime që KQZ e ka pasur në autoritetin e vet. Sa i takon pretendimeve se si e ka kryer shpërndarjen operatori postar jam mbështetës i vlerësimit të çdo pretendimi që lidhet me rregullsinë e operimit të këtij operatori. I kemi kërkuar të vëmë në dispozicion DHL të gjithë dokumentacionin i cili besohet dhe mendohet se tregon se si është bërë operacioni i shpërndarjes së fletëve të votimit të dokumentacionit zgjedhor tek të gjithë zgjedhësit, përfshirë Greqinë.

Dorëzimi i këtij dokumentacioni tek operatori shërbimit postar është proces që garanton 100% integritetin e procesit të votimit nga jashtë dhe kjo vlen edhe për rastin e kthimit të dok zgjedhor nga DHL te KQZ. S’ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara, mbetet të vlerësojmë pretendimet se sa është respektuar integriteti i votës së shqiptarëve në procesin e marrjes së fletëve të votimit dhe kthimit përmes shërbimit postar", tha Celibashi. 

Ora 13:09
Zgjedhjet, Celibashi: Platformat e KQZ janë gjendur nën sulme kibernetike nga jashtë! Ishin të organizuara dhe të sofistikuara

 

Ilirjan Celibashi deklaroi se platformat e KQZ janë gjendur nën sulme kibernetike. Në konferencën për mediat, kreu i KQZ, tha se sulmet kanë qenë të organizuara dhe të sofistikuara që vinin nga jashtë.

“Mund të bëj publike sot që platformat e KQZ, duke filluar nga ajo e regjistrimit të votuesve nga jashtë, janë gjendur nën sulme kibernetike. Kemi komunikuar me me institucione përkatëse, si ato të sigurisë kibernetike dhe ato që lidhen me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve sa herë që janë evidentuar. Kemi 192 mln kërkesa të regjistruar në 7 ditë. Kemi patur pikun për 5700 kërkesa për sekondë. Nga të dhënat që kemi, rezulton se një pjesë e madhe e këtyre sulmeve kanë qenë të organizuara dhe të sofistikuara dhe jo rastësore. Të gjitha nga jashtë. Kanë qenë të krahasueshme me sulmet që kanë pasur vende të tjera për situata të ngjashme, si Franca, Gjermania apo Estonia.”, u shpreh Celibashi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?