TIRANË - PS e PD arritën të gjejnë gjuhën për votën e diasporës duke bërë hapa pas nga qëndrimet e mëparshme. Mazhoranca i thotë ‘PO’ votimit edhe nga emigrantët që nuk janë rezidentë dhe nuk kanë një adresë atje ku punojnë. Nën presionin e kohës ekspertët duhet të detajojnë draftin që të votohet të enjten e ardhshme në Kuvend.
Dritë jeshile për votën e diasporës.
Maxhoranca dhe opozita ranë parimisht dakord në mbledhjen e gjatë në Grupin e Dialogut për të mundësuar votën e diasporës duke integruar në një, propozimet që vetëm pak ditë më parë i depozituan të ndara.
Mazhoranca u tërhoq nga propozimi fillestar që për të votuar, emigrantët duhet të kenë një adresë vendbanimi, duke pranuar propozimin e demokratëve që të votojnë të gjithë emigrantët, janë apo jo rezidentë.
Edhe për votën me postë ndërkombëtare ka kompromis politik, ndërsa do të jenë ekspertët ata që do të merren me detajet teknike.
Shpresa e dy përfaqësuesve të PS e PD është që vota e diasporës të votohet brenda këtij sesioni, në seancën e fundit, të enjten e ardhshme…
Votën e diasporës e kërkuan një ditë më parë përmes një proteste simbolike para kuvendit, edhe përfaqësues të diasporës, ku nuk munguan as tensionet e përplasja me policinë.