Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzon të paguajë faturën apo kamatëvonesat e njoftuara nga kompania postare DHL, për votën e diasporës. Celibashi i është përgjigjur shoqërisë, se nuk do të paguhet asnjë lek, pa u verifikuar më parë se si është shpërndarë vota nëpër botë.
***
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do ta paguajë kompaninë postare DHL që shpërndau votën e diasporës, pavarësisht se kjo e fundit kërcënoi me kamatëvonesa disa mijëra euroshe.
Ilirjan Celibashi i ka kthyer përgjigje kompanisë, duke i thënë se 9 milionë eurot e shërbimit do të paguhen vetëm kur të verifikohet cilësia e shpërndarjes së fletëve të votimit tek qytetarët shqiptarë jashtë atdheut.
“Është qartësisht e kuptueshme se detyrimi i KQZ për t’ju paguar vjen vetëm pasi të verifikohet kryerja, ose jo e shërbimit nga ana juaj sipas kontratës. Vetëm fakti se DHL i ka përcjellë këto fatura në KQZ, nuk e detyron automatikisht KQZ që të bëjë pagesën e tyre, e më shumë akoma të paguajë për kamatvonesa. Shërbimi i marrë përsipër për t’u kryer nga DHL do të duhet të provohet se është kryer në sasi, në cilësi dhe në kohë”.
Në fund, Celibashi i kërkon kompanisë postare të tërheqë kamatvonesat dhe të dy institucionet të ulen bashkë për të mbyllur kontratën.
“Për të vijuar me këtë përmbushje jeni të lutur që në radhë: të revokoni kërkimin tuaj për kamatvonesat; të autorizoni një përfaqësues të DHL për të koordinuar me KQZ për të hartuar dokumentin (procesverbalin) në lidhje me kryerjen e shërbimit kontraktual nga ana e DHL dhe pranimin e këtij shërbimi nga KQZ; të ridërgoni faturat për shërbimin e kryer sipas shteteve; Përmbushja sa më shpejtë e këtyre kërkesave i hap rrugën pagimit menjëherë nga KQZ të detyrimeve financiare kundrejt DHL”.
Komisioni thotë se e ka pasur të pamundur të kontrollojë deri më tani nënshkrimet e 200 mijë votuesve për shkak se stafi është marrë me procese të tjera zgjedhore në funksion të 11 majit.
Letra e plotë e kryekomisionerit të KQZ, Ilirjan Celibashi, drejtuar kompanisë DHL:
I nderuar z. Koçollari,
Si përgjigje të shkresës suaj përcjellë më datë 01.09.2025, protokolluar me tonën nr. 5950 Prot., datë 01.09.2025 me objekt “Kërkesë e përsëritur për pagesën e detyrimeve kontrakore”, jeni të lutur të mbani në vëmendje sa vijon:
Kontrata me nr. 1358/20 prot., datë 04.04.2025 “Shërbimi postar për zgjedhësit nga jashtë vendit” e lidhur midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe “DHL International Albania” sh.p.k (DHL), ka si objekt të saj kryerjen nga kjo e fundit të shërbimit të dërgimit të fletëve të votimit për votuesit banues jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. KQZ do të paguajë DHL për kryerjen e këtij shërbimi.
Në përputhje me objektin e kësaj kontrate palët në të, KQZ dhe DHL, kanë të drejta dhe detyrime të ndërsjellta të cilat gjenden të pasqyruara në këtë dokument.
Si pjesë e këtyre të drejtave dhe detyrimeve më lejoni t'ju sjellim në vëmendje, veçanërisht disa parashikime kontraktuale:
Neni 1.11 “Inspektimet dhe Auditimi nga Blerësi”
Furnizuesi i përgjigjet pyetjeve dhe i jep Blerësit çdo informacion ose dokument të nevojshëm për (i) hetimin e pretendimeve të Praktikave të Ndaluara, ose (ii) monitorimin dhe vlerësimin nga ana e Blerësit të Kontratës dhe për t'i dhënë mundësi Blerësit të shqyrtojë dhe adresojë çdo problematikë në lidhje me Kontratën.
Furnizuesi mban të gjithë dokumentacionin në lidhje me zbatimin e Kontratës në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 4 “Objekti i Furnizimit”
4.1“Shërbimet që do të furnizohen duhet të jenë sipas termave të referencës dhe kushteve të përcaktuara në Dokumentet e Tenderit.
4.2 Kushtet e kontratës nuk ndryshojnë nga ato të përshkruara në dokumentet e tenderit dhe në ofertën fituese, me përjashtim të rasteve kur Furnizuesi, për arsye objektive dhe të pavarura prej tij në kohën e ofertimit ofron, me të njëjtin çmim, kushte më të mira se ato të tenderuara.
Neni 5 “Dorëzimi”
5.1 Dorëzimi i Shërbimeve do të jetë në përputhje me kërkesat e specifikuara në Dokumentet e Tenderit.
Neni 6 “Përgjegjësitë e Furnizuesit”
6.1 Furnizuesi do të jetë përgjegjës për kryerjen e e të gjitha Shërbimeve në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Dokumentet e Tenderit.
Neni 8 “Detyrimet e Veçanta të Furnizuesit”
Furnizuesi duhet të kryejë të gjitha Shërbimet siç specifikohet tek Termat e Referencës.
Furnizuesi duhet t’i paraqesë Blerësit të gjitha shërbimet, në sasitë e përcaktuara, siç kërkohen nga kontrata duke përfshirë, por jo të kufizuara nga, të gjitha raportet, dokumentat, studimet, skicimet dhe planimetritë.
Furnizuesi duhet të sigurojë raportet e lidhura me zbatimin e Shërbimeve siç kërkohet në kontratë.
Neni 10 “Kushtet e pagesës”
10.2 Pagesat do të kryhen menjëherë nga Blerësi, jo më vonë se periudha kohore e specifikuar në KVK pas dorëzimit të një fature ose kërkese për pagesë nga Furnizuesi, dhe pasi Blerësi ta ketë pranuar atë.
Neni 15 “Dispozita të Fundit”
Për sa nuk parashikohet shprehimisht në këtë kontratë, do të zbatohen dispozitat e parashikuara në Kushtet e Përgjithshme të Kontratës, të publikuara si pjesë e Dokumenteve Standarde të Tenderit të procedurës së prokurimit me objekt këtë kontratë”.
Sjellim gjithashtu në vëmendjen tuaj se pjesë tërësore e kësaj kontrate janë edhe anekset:
“Aneksi 1” – Oferta ekonomike;
“Aneksi 2” – Termat e referencës;
“Aneksi 3” – Propozimi teknik;
“Aneksi 4” – Vendimi nr. 13 datë 12.01.2024 “Për miratimin e rregullave për procedurën e votimit nga jashtë vendit”, i ndryshuar
Në vlerësim të dispozitave të sipërcituara, por edhe në tërësi nga përmbajtja e gjithë kontrata, është qartësisht e kuptueshme se detyrimi i KQZ për t’ju paguar vjen vetëm pasi të verifikohet kryerja, ose jo e shërbimit nga ana juaj sipas objektit të kontratës.
Vetëm fakti se DHL i ka përcjellë këto fatura në KQZ dhe se ato janë tashmë në sistem (por as janë pranuar dhe as nuk janë refuzuar) nuk e detyron automatikisht KQZ që të bëjë pagesën e tyre, e më shumë akoma të paguajë për kamatvonesa.
Sikurse edhe në çdo kontratë tjetër të ngjashme, bazuar në përmbajtjen e vetë asaj, si dhe në legjislacionin përkatës, shërbimi i marrë përsipër për t’u kryer nga njëra palë (DHL me këtë rast) do të duhet të provohet se është kryer në sasi, në cilësi dhe në kohë. Ky është një parashikim kontraktual i qartë edhe në kontratën objekt trajtimi në këtë komunikim.
Pranimi i kryerjes së shërbimit nga pala tjetër (KQZ), e detyron këtë të fundit që të paguajë për shërbimin e marrë.
Sikurse ju shumë mirë e dini, midis KQZ dhe DHL, nuk ka akoma një dokument, i cili sipas kontratës, si dhe dispozitave përkatëse të Kodit Civil, ligjit nr.162/2020 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, të tregoj/të provojë se (nga KQZ) është pranuar pjesërisht, apo tërësisht kryerja e shërbimit nga ana juaj sipas parashikimeve kontraktuale.
Thënë sa më sipër faturat e dërguara nga ana juaj në KQZ në bazë të cilave ju kërkoni të paguheni për shërbim e kryer sipas objektit të kontratës, nuk kanë respektuar procedurën kontraktuale dhe atë ligjore të rastit dhe rrjedhimisht nuk përbëjnë deri më tani detyrim për t’u paguar nga ana e KQZ.
Dërgimi i këtyre faturave është bërë pa u finalizuar më parë në një dokument (procesverbal) fakti i kryerjes së shërbimit nga ana juaj sipas termave të kontratës.
KQZ në vijueshmëri ju ka kërkuar të vendosni në dispozicion të saj gjithë dokumentacionin provues të kryerjes së shërbimit kontraktual nga juaj (shikoni për këtë shkresat nr.prot 3592, datë 30.04.2025; nr.prot 3683, datë 03.05.2025; nr.prot 4009, datë 08.05.2025; nr.prot 4444, datë 13.05.2025; nr.prot 4444/2, datë 22.05.2025, (së bashku me provën e nënshkrimit edhe route të dërgesës me timestamp).; nr.prot 4444/4, datë 28.05.2025; nr.prot 4444/6, datë 4.06.2025 dhe atë me nr. Prot 5318/1, datë 10.07.2025)
Një pjesë e madhe këtij dokumentcioni tashmë është dërguar nga juaj. Por për shkak të volumit të madh të të dhënave që përmban ky dokumentacion, ka qënë e pamundur për KQZ që të përfundonte shqyrtimin dhe vlerësimin e tij deri në momentin që po ju përcillet kjo përgjigje. Është fakt i njohur botërisht që gjatë kësaj periudhe KQZ ka vazhduar të jetë e angazhuar me përmbushjen e detyrimit të saj kushtetues dhe ligjor të administrimit të procesit zgjedhor të datës 11 Maj 2025. Sikurse mund të jeni në dijeni përfundimi i këtij procesi daton më 4 Shtator 2025!
Veçmas shkakut themelor të më sipër arsyetuar, mospagimi i faturave të dërguara nga ana juaj lidhet edhe me përmbajtjen e vetë faturave. Përmbajtja e tyre nuk tregon asgjë në lidhje me sa, si dhe kur është kryer shërbimi juaj sipas objektit të kontratës. Mungesa e kësaj qartësie në përmbajtjen e faturave përbën një shkak të përligjur për KQZ për mos pagimin e tyre.
Sa më sipër parashtruam, mbështet edhe pretendimin e KQZ se është pa shkak kontraktual dhe ligjor edhe kërkimi juaj për pagimin e kamatvonesave.
I nderuar zoti Koçollari,
KQZ njeh gjithë detyrimet kundrejt DHL që burojnë nga Kontrata me nr. 1358/20 prot., datë 04.04.2025 “Shërbimi postar për zgjedhësit nga jashtë vendit” e lidhur midis këtyre dy personave juridik dhe është e angazhuar për përmbushjen e këtyre detyrimeve. Ndaj për të vijuar me këtë përmbushje jeni të lutur që në radhë:
1. të revokoni kërkimin tuaj për kamatvonesat;
2. të autorizoni një përfaqësues të DHL për të koordinuar me KQZ për të hartuar dokumentin (procesverbalin) në lidhje me kryerjen e shërbimit kontraktual nga ana e DHL dhe pranimin e këtij shërbimi nga KQZ;
3. të ridërgoni faturat për shërbimin e kryer sipas shteteve;
Përmbushja sa më shpejtë e këtyre kërkesave i hap rrugën pagimit menjëherë nga KQZ të detyrimeve financiare kundrejt DHL.
Për ta përfunduar,
KQZ rikonfirmon edhe një herë se votimi për herë të parë i votuesve nga jashtë, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj, ishte një proces që u realizua me sukses edhe pse ishte i sfiduar nga faktori kohë e nga faktorë të tjerë objektiv dhe subjektiv. Me këtë rast KQZ vlerëson angazhimin e DHL si partner kontraktual i këtij institucioni për të kontribuar në realizimin e këtij procesi.
Komente

Si hera e pare, votimi i diaspores nuk ishte perfekt,pati probleme,por pas kesaj qe po beni, DHL nuk ka per t'ua marre me persiper,ne fakt asnje tjeter s'ka per t'ua marre persiper,sepse sherbimi postar i rradhes,do te pyese se me ke e kishit me pare e kur t'a marre vesh se e kishit me DHL dhe t'a pyese DHL se si u soll KQZ me te,atehere do te thote ku ju kam pare,gjeni nje budalla tjeter qe t'ua marre persiper dhe ne fund do te perfundoni me ndonje sherbim /wanna be/ qe do ju premtoje cdo gje,por do te jete shume me keq ne performance.Njelloj si te kerkosh prej linjave ajrore low cost sherbim e performance si te linjave te famshme,por te shtrenjta.Keshtu do te perfundoje dhe KQZ po shkeli kontraten me DHL.
PërgjigjuNUK ARIJË TË KUPTOJ QË KJO K.Q.Z A KA PATUR KONTRATË ME D.H.L.?N.Q.S. SHKEL KONTRATËN GJOBITESH MOJ K.Q.Z. Z.QELIBASHI PO KRYEN SHËRBIMIN E URDHËRUAR NGA PADRONI.PO MARRIM RASTIN QË D.H.L. KA SHKELUR RREGULLIN ÇFARË DO TË NDODHË? QELIBASH SI I BËHET?A E DINI.QË KE ÇERFITIKUAR ZGJEDHIET?A E DINI QË ÇON NJËRZINË NË PËRPLASIE? KA DHEMë
Përgjigju