Partia e Lirisë u ka drejtuar një thirrje emigrantëve shqiptarë në mbarë botën që të marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, theksoi se procesi i dërgimit të fletëve të votimit për shqiptarët jashtë vendit ka nisur dhe u bën thirrje emigrantëve që të mos lejojnë patronazhimin e votës dhe të vlerësojnë alternativat politike mbi bazën e programeve të tyre.
Haxhiu ngriti shqetësimin për shpopullimin masiv të vendit, duke theksuar se “më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi në 12 vitet e fundit, kryesisht të rinj dhe profesionistë”, çka sipas saj, ka sjellë një rënie të ndjeshme të kapaciteteve prodhuese kombëtare.
“Thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë te votojnë PD-ASHM. Ata që nuk kanë arritur të regjistrohen, te vijnë fizikisht. Asnjë emigrant nuk duhet të mbetet pa votuar. Këto zgjedhje janë jetike për kombin shqiptar që të mos zhduket", tha Haxhiu.
Në deklaratë Haxhiu theksoi se rikthimi i emigrantëve është një mision kombëtar, për të cilin ASHM propozon masa konkrete, si: Zero taksa për 5 vite për emigrantët që kthehen dhe investojnë në vend; strehim të lehtësuar për familjet që kthehen; paga dinjitoze dhe mundësi punësimi; njohje të diplomave dhe përvojës së fituar jashtë; si dhe përfshirjen e ripopullimit si prioritet qeveritar.
“Ejani nga toka, nga ajri, nga deti! Ky është uragani i ndryshimit”, u shpreh Haxhiu, duke bërë thirrje që më 11 maj të votohet për Aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe të ndalet emigrimi familjar përmes mbështetjes konkrete për familjet dhe të rinjtë", shtoi Haxhiu.
Komente
