Tirane-Një ditë pasi Partia Socialiste depozitoi në Kuvend projektligjin me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve dhe herësin, ministrja e Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin Elisa Spiropali ftoi PD-në e grupet e tjera parlamentare që të votojnë draftin socialist dhe të bëjnë propozimet e tyre për të realizuar sa më të plotë një reformë zgjedhore. .
“Kemi bërë çdo përpjekje që të mund të gjenim dhe fjalën e përbashkët për shumicën e cilësuar por kur nuk kemi dakordësinë, PS ka çuar propozimet që reflekton vetëm Gjykatën Kushtetuese. Ne besojmë se diaspora duhet të votojë, ndaj kemi reflektuar vendimin e Gjykatës. Propozimet janë aty, lehtësisht të zbatueshme. Propozimi ynë është i ngjashëm me sisteme edhe jashtë. Janë lehtësisht të zbatushme.
Ne jemi ende të gatshëm për tu ulur. Ne ishim në një ngushtim afati për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ ODIHR e vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jemi ende në pritje për të marrë propozimet.”, u shpreh ajo.
Për mazhorancës ka ende kohë që reforma të mos dështojë dhe të realizohen edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
“Ne besojmë që është detyrë e çdo grupi parlamentar që të japë propozimet më të mirë dhe më pas të shkojmë në seancë dhe t’i votojmë. Megjithatë ka ende kohë. E rëndësishme është që PD të na bashkohet dhe të japë propozimet e saj. Të gjitha propozimet më të mira që reflektojnë vendimin e gjykatës ti votojmë në seancë”
A u hodh në erë grupi i dialogut?
Krahasimet me hedhje në erë nuk kanë vënd fare në këtë diskutim. E propozuam ne këtë grupin e dialogut. Ne kemi të gjithë vullnetin për të bërë këtë debat, dhe për të gjetur vullnetin përtej interesave. Duhet të votojmë ta bëjmë realitetit në 2025" tha Spiropali.
Për të votuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor duhen 84 vota por a i ka PS?
“Nuk është qëllimi ynë asht të bëjmë llogaritarin e votave, apo të gjuajmë votat, por është detyrë e çdo grupi parlametar të japë propozimet më të mira” tha Spiropali.
Të vënë përballë presionit të kohës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe sinjaleve aspak pozitive për një produkt konsesual me opozitën, socialistët depozituan të vetëm në kuvend propozimet për ndryshimet në kodin zgjedhor. Nisma e PS-se e mbështetur me firmat e 7 deputetëve, adreson vetëm reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të cilat janë detyrim për Kuvendin, si vota e diasporës dhe përcaktimi i herësit për ndarjen e mandateve brenda një force politike apo koalicioni.
Sipas këtij projektligji, emigrantët do të votojnë me postë ndërsa do të regjistrohen 100 deri në 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Vota e tyre do të llogaritet në qarkun e fundit ku kanë jetuar në Shqipëri. Sa i përket herësit, socialistët kanë propozuar kufiri i votave që një kandidat të marrë të jetë 7000 dhe jo më 10 000 vota siç ishte në zgjedhjet e fundit.