Është zbardhur vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) që rrëzoi kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi për ‘bllokimin’ e numërimit të votave të Greqisë. Në dokumentin e zbardhur, KAS thotë se vendimi i kryekomisionerit është nxjerrë në kundërshtim të Kodit Zgjedhor, pasi kjo kompetencë i takon Rregullatorit.
KAS konstaton se akti i kryekomisionerit ka karakter normativ nënligjor, por sipas ligjit, kompetenca për miratimin e akteve të tilla i përket ekskluzivisht Rregullatorit të KQZ-së. Ky i fundit ka miratuar më herët rregullat e plota për administrimin e votave nga jashtë me vendimin nr. 22, datë 20.03.2025 dhe vendimin nr. 33, datë 08.05.2025, të cilat përfshijnë çdo hap të procesit nga dorëzimi, hapja dhe verifikimi i kutive, deri te numërimi dhe vlerësimi i votave.
Sipas KAS, vetëm Rregullatori ka të drejtën për të ndryshuar rregullat për votimin nga jashtë vendit, me vendime të marra me shumicë të cilësuar.
“Vendimi i Komisionerit nr. 1121, datë 12.05.2025, është nxjerrë në kundërshtim me shkronjën “n” të pikës 1, të nenit 19, të Kodit Zgjedhor, sepse Komisioneri nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat u janë njohur shprehimisht Rregullatorit ose KAS-it. Ky vendim është gjithashtu në kundërshtim me shkronjën “dh” të pikës 1, të nenit 20, të Kodit Zgjedhor, sepse miratimi i rregullave për procedurat e votimit, për administrimin dhe për numërimin e votave nga jashtë vendit është kompetencë ekskluzive e Rregullatorit.”, thuhet në vendimin e KAS.
Në përfundim, KAS vendosi se vendimi i Komisionerit është në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Procedurave Administrative, dhe për këtë arsye shfuqizohet si akt I pavlefshëm. Zbatimi i mëtejshëm i tij ndalohet, ndërsa në fuqi mbeten vendimet ekzistuese të Rregullatorit.
Vendimi i djeshëm i KAS erdhi pas kërkesës së depozituar nga PS që kundërshtonte aktin e kryekomisionerit Celibashi për të veçuar zarfet e ardhura nga Greqia pas kërkesës së Partisë Demokratike.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
