Yll Manjani

Politikë

‘Votat blihen në Shqipëri’, Ylli Manjani nuk ‘kursen’ opozitën: Shqiptarët janë të varfër prandaj shiten! PD nuk mund të ndërtojë një sistem më të mirë

21 Shtator, 11:30| Përditesimi: 21 Shtator, 11:31

  • Share

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar lidhur me akuzat e kahershme të opozitës shqiptare, për blerje apo vjedhje të votave përgjatë zgjedhjeve të 11 majit dhe jo vetëm, nga mazhoranca apo nga Partia Socialiste, e cila është në pushtet tashmë prej 12 vitesh.

Manjani hedh poshtë tezën për vjedhje votash, referuar këtu dhe faktit se përgjatë verës është bërë rinumërim në disa qarqe dhe nuk doli asnjë vjedhje e çuditshme përveç kalimit të disa votave të papërfillshme tek kandidatët brenda llojit, dhe brenda Partisë Demokratike.

Ish-ministri pranon se në vendin tonë ka shitje apo blerje masive të votës, ndërsa argumenton se për këtë shkaktari është varfëria dhe më tepër është opozita që nuk ka asnjë më të mirë për të ofruar sesa mazhoranca, ose ose fare, shkruan Manjani.

Ndër të tjera, Ylli Manjani shkruan se opozita i detyrohet mbështetësve e shqiptarëve një përgjigje nëse kanë përfituar ndonjëherë nga të qenurit në opozitë si dhe kush është burimi i gjithë parave të harxhuara në fushatën zgjedhore e pagesa e majme për lobimet në SHBA.

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:

Boza politike me votat e vjedhura, megjithse nuk pihet, duhet analizuar

Meqë opozita insiston deri në pengmarrje të jetës politike në vend, madje sugjerohen deri edhe demonstrime të dhunshme, vlen edhe analiza e votimeve të shkuara.

Së pari duhet të ndajnë mendjen: u vodhën apo u blenë votat?!

Opsioni që votat u vodhën nuk qëndron, pasi nga përpjekja gjithverore e PD për të gjetur votat e vjedhura u rrëzua. Asnjë provë vjedhje të PS ndaj PD nuk u gjet. U gjetën vetëm kalime votash kandidatësh brenda llojit, por kaq.  Ai operacion transparence na ndihmoi për të vërtetuar sentencën "hajduti që bërtet kapeni hajdutin".

Pra muhabet kot doli vjedhja e votave.

Opsioni tjetër, pra ai i blerjes së votave, qëndron. Të gjithë e dimë që vota blihet në këtë vend. Prej vitesh është kështu.

Vota blihet sepse ka shitës të saj.

Nuk kam ndryshuar mendim, madje më përforcohet përherë e më shumë, se në demokracinë tonë problem është shitësi i votës. Ai/ajo shet veten dhe të gjithëve ne.

I qëndroj sentencës sime të kahershme (antipopullore sigurisht) se ai që blen vota është i pafytyrë, ndërsa ai që e shet votën është faqezi.

Por nëse e analizojmë pak më thellë çështjen duhet të ngremë pyetjen "përse shitet vota"?

Përgjigja e zakonshme është: varfëria.

Por prap është e cekët si përgjigje. Vetëm kaq është thjesht justifikim. Sepse pyetja tjetër është: "Përse njeriu shet votën lirë për sistemin që e varfëron, kur mund të mos shitet dhe të ndryshojë sistemin?"

Njeriu sado i varfër të jetë, të mirën nga e keqja e dallon. Atëhere përse e shet votën dhe ruan varfërinë në vend ta luftojë atë?!

Këtu opozita nuk ka përgjigje. Normale sepse në fund llogjika të çon në konkluzionin e hidhur se çmimi i ulët i shitjes së votës është në fakt vlera politike e opozitës.

Opozita nuk ka arritur të bindë as të varfërin, të mesmin e të pasurin jo e jo, që di të ndërtojë një sistem më të mirë. Ajo nuk ka bindur se është më e mirë se qeveria.

Prandaj njerëzit kapin ç'të kapin  me qeverinë që janë.

E trishtë sa më ska. Vështirë të ketë lidhje me konceptin e demokracisë kjo gjë. Por kjo është e vërteta.

Pa e marrë këtë të vërtetë të hidhur si ilaç, nuk shërohet dot askush. Opozita e para.

Ka edhe më shumë elementë që duhen shuar tek ky argument. Por kjo varet nga sinqeriteti i opozitarëve.

Pyetja tjetër është: "a kanë përfituar financiarisht nga pushteti opozitarët për të shitur lojën"?

Ata mund të zgjedhin pasinqeritetin dhe është krejt normale, por i kanë borxh mbështetësve të tyre, ndoshta edhe ligjit, sqarimin e burimeve të financimit për shërbimet e Lacivitas dhe të lobbimit anti-nongratë, më të shtrenjtë të blerë ndonjëherë.

Këto kontrata tregojnë për një opozitë të shëndetshme financiarisht. Ato para të harxhuara nuk janë para buxheti, as para kontributesh, as kursime. Janë para biznesi që investohen për të gjeneruar më shumë biznes.

Edhe në këtë këndvështrim, debati për blerjen e zgjedhjeve është i dhimbshëm. Por i domosdoshëm tashmë për t'u bërë, meqë skanë asnjë punë tjetër politike.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?