Vinicius Junior është shpallur fituesi i çmimit ‘The Best’, lojtari më i mirë i vitit nga FIFA. Braziliani u vlerësua për sezonin e jashtëzakonshëm me Real Madrid ku ishte protagonist si në La Liga ashtu edhe në Champions League, ndërsa ky çmim individual vjen vetëm pak javë pasi u rendit i dyti për ‘Topin e Artë’. Një trofe tjetër individual që shkaktoi shumë polemika dhe zemërim te Real Madrid dhe tifozët e tij. Pas çmimit ‘The Best’ Vinicius është shprehur se ‘shumë persona janë përpjekur ta zhvlerësojnë, zvogëlojnë, por nuk ia kanë dalë’.
Çmimi ‘The Best’ i organizuar nga FIFA akordohet nga votat e 4 komponentëve: trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare, gazetarët dhe tifozët. Vota e secilit ka vlerën e 25%, ndërsa është zbuluar edhe si ka votuar Shqipëria. Trajneri Sylvinho i ka dhënë 5 pikë Vinicius, 3 Rodrit dhe 1 pikë Jude Bellingham. Kapiteni Berat Gjimshiti ka zgjedhur për 5 pikë Toni Kroos, 3 Viniciusit dhe 1 pikë Rodrit, ndërsa gazetari Endi Tufa i ka dhënë 5 pikë Jude Bellingham, 3 Rodrit dhe 1 pikë Dani Cavajal.
Carlo Ancelotti rrëmbeu çmimin e trajnerit të vitit, Emiliano Martinez u shpall portieri i vitit, ndërsa Alejandro Gernacho mori trofeun Puskas për golit më të bukur të vitit. Goli në fjalë është realizuar me Manchester United kundër Everton më 26 nëntor 2023.
Real Madrid, si protagonisti i më shumë trofeve në mbrëmjen e FIFA-s, nuk do të ketë shumë kohë për të festuar pasi sonte do të zbresë në fushë kundër Pachuca-s. Në Katar, në stadiumin e finalës së Botërorit 2022, do të diskutohet për herë të parë pas 20 vitesh trofeu Interkontinental, që zhvillohet mes kontinentit Evropian dhe atij Amerikan. Për herë të fundit e fitoi Porto e Jose Mourinhos, ndërsa sonte, duke nisur nga ora 18:00 do të mësohet fituesi i ri.