Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka kërkuar që ditën e nesërme të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e partive politike.
KQZ ka kërkuar që të bisedojë lidhur me implementimin e projektit pilot, numërimin dhe votimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit.
Më herët, partitë më të mëdha politike në vend, PD dhe PS kanë dorëzuar në KQZ propozimet e tyre se ku duhet të bëhet implementimi i kësaj teknologjie.
Për të vetmen zonë që të dyja palët e shohin si të sigurt për këtë proces është qyteti i Korçës. Përveç Korçës demokratët kanë sugjeruar dhe qarkun e Fierit ndërsa socialistët disa njësi administrative në Tiranë.
Ndërkohë mësohet se socialistët nuk janë dakord që ky projekt pilot të implementohet në Fier, por kërkojnë të realizohet në disa zona urbane në Tiranë dhe jo rurale për shkak të infrastrukturës dhe internetit, në mënyrë që procesi të mos ketë kontestime.
LSI ka propozuar Korçën dhe Fierin si dy zonat ku të bëhet projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik ndërsa Bindja Demokratike ka propozuar vetëm Tiranën.