KQZ ka vendosur ditën e sotme që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik do të zbatohet vetëm në një ZAZ në bashkinë e Tiranës. Në ndryshimin e miratuar KQZ vendosi që projektit pilot do zbatohet në një Zonë të Administrimit Zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, e cila ka në juridiksionin territorial të saj jo më shumë se 55 qendra votimi.
Në kërkesë që PS dhe PD kishin dorëzuar në KQZ për propozimet e tyre përveç Tiranës ishte edhe Korça e Fieri, por duket se tashmë KQZ ka marrë vendimin e saj dhe ka vendosur që projekti pilot do të aplikohet vetëm në një nga ZAZ-të e Tiranës. Konkretisht PD-LSI propozuan që projekti-pilot të implementohej në Korçë e Fier, kurse PS në Tiranë e Korçë.
Tashmë në zgjedhjet e 25 prillit një prej njësive zgjedhore në Tiranë do të votojë në mënyrë elektronike me projektin-pilot, po ashtu dhe votat do të numërohen elektronikisht. Caktimi i zonës do të bëhet i ditur në ditët në vijim dhe do të jetë një vendimmarrje e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Teknologjia në zgjedhje ka qenë një çështje e kërkuar me ngulm nga opozitarët jashtë parlamenti dhe u arrit me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor që të implementohej në zgjedhjet e 25 prillit jo më shumë se 20 %, ndërkohë që identifikimi biometrik do të shtrihet në të gjithë vendin, ku dy ditë më parë është nënshkruar edhe kontrata mes KQZ dhe kompanisë ‘Smartmatic’ .