Votimi elektronik në zgjedhjet e 14 majit, Celibashi: Edhe pse ka interes, nuk ka shtysë nga partitë politike! Financimet ruse, shkelje e rëndë

23 Nëntor 2022, 11:26| Përditesimi: 23 Nëntor 2022, 14:36

  • Share

Në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, votimi elektronik do të realizohet vetëm në Vorë dhe jo në gjashtë bashki. Shkak mos aprovimi i fondit 37 milionë euro i kërkuar nga KQZ. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha për mediat se afatet kohore janë drejt ezaurimit.

“Maksimumi mesi i muajit që vjen. Nëse paratë janë të mundura për KQZ, procesi i realizimit dhe prokurimit të pajisjeve kërkon kohë që nuk është e mjaftueshme. Ka deklarime sporadike të përfaqësuesve për ta zgjeruar votimin elektronik, por s’ka një shtysë të fortë”, tha Celibashi.

Pesimist Celibashi u shpreh edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

“Nuk do të ketë ndryshime të minutës së fundit të Kodit Zgjedhor. Kemi një ligj zgjedhor që garanton proces të drejtë dhe të ndershëm”, tha Celibashi.

Deklarata e Celibashit erdhën pas një tryeze të realizuar nga KQZ për adresimin e problematikës së financimit të partive politike. I pyetur për financimet ruse në partitë politike shqiptare, Celibashi tha se është vepër penale.

“Ka parashikime në Kodin Penal dhe zgjedhor për të ndaluar financimet ruse, janë çështje që po adreson nga organi i Prokurorisë. Përbën shkelje të rëndë të ligjit, të cilat klasifikohen si vepra penal dhe do të duhet të trajtohen nga organet përkatëse Prokuroria dhe Gjykata”, tha Celibashi.

Shqetësim mbetet numri partive fiktive në vendin tonë. Sipas KQZ, nga 131 parti të regjistruara në Gjykatë mbi 50%, nuk kanë adresë të saktë dhe kryetarë partie. Për Celibashin fenomeni adresohet me ndryshime në ligjin për Partitë politike.

“Një pjesë janë inekzistente jo vetëm prej veprimtarisë politike, por s’duken askund. Mendoj se ekzistojnë si disa subjekte që kanë zënë kolonat e regjistrit. Kjo çështje duhet parë”, tha Celibashi.

Në lidhje me financimet, për Celibashin, partitë politike janë ndërgjegjësuar. Ai kërkoi kufi më të qartë ligjor që media ka në pasqyrimin e veprimtarisë së subjekteve politike në fushata zgjedhore. Po ashtu, sipas tij, për rastet e një kryebashkiaku që rikandidon, duhet të ndahet kufiri mes përmbushjes së funksionit të tyre si kryetar bashkie dhe veprimet të cilat janë pjesë e fushatës elektorale dhe për këtë, KQZ pritet të publikoi dhe një udhëzues.

Ora 10:21
Drejtuesja e sektorit financiar në KQZ: Janë 131 parti politike në Shqipëri, më shumë se 50% pa adresa, nuk dorëzojnë pasqyra financiare

 

Drejtuesja e sektorit financiar në KQZ, Valbona Ballgjini ka ngritur një problematikë me të cilën haset KQZ për partitë politike, më shumë se 50% e të cilave nuk kanë adresa të sakta dhe nuk dorëzojnë pasqyra financiare.

“KQZ informohet nga gjykata sa parti politike ka në Shqipëri. Duhet që regjistrimi i pasqyrave financiare të bëhet brenda 31 vitit të vitit pasardhës.

Ne marrim një listë të partive politike dhe të gjitha partitë duhet të dorëzojnë raportet financiare. Rezultojnë 131 parti të regjistruara dhe më shumë se 50% i mungojnë adresat e sakta, emrat e kryetarëve dhe rezulton që prej shumë vitesh nuk kanë aktivitet financiar dhe nuk dorëzojnë pasqyra financiare. KQZ është e detyruar të përzgjedhë audites. Ndërsa ata thonë se nuk i gjejnë në adresat e vëna në dispozicion dhe kështu kemi detyrim të papërmbushur. Kjo sjell pasojë dhe pakënaqësi në lidhje me pagesat.

Ligji detyron KQZ të auditojë partitë politike dhe detyron këto të fundit të paguajnë audituesit e përzgjedhur. Përpiqen të gjejnë adresa, por është e pamundur”, tha Ballgjini.

Ora 10:15
Financimet/ Celibashi: Politika më e frikësuar nga sanksionet! Partitë duken të ndërgjegjësuara për zbatimin e Kodit Zgjedhor

Palët politike janë më të frikësuara nga sanksionimet dhe po përpiqen që të bëjnë pasqyrim të financimeve. Këtë bëri me dije kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi duke shtuar se nuk është ende e qartë se cilat janë financimet dhe sa është vlera e tyre por po punojnë.

“Theksoj se nuk e konstatoj arrogancën e partive politike për ta shpërfillur hapur atë që ka sanksionuar Kodi Zgjedhor në raport me financimin e partive politike. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi asnjë problem si parti politike në qasjen e tyre në lidhje me financimin, por duhet ta themi se të gjithë përpiqen. Ky është një hap i mirë le të themi, pasi duket sikur palët janë të ndërgjegjësuar për rëndësi që ka zbatimi i këtyre normave ndoshta edhe frikën për të mos u sanksionuar.

Takimi i sotëm është episodi i parë i një serie takimesh që do të zhvillohen. Do të vazhdojmë të konsultohemi në lidhje më të gjitha ndalimet apo lejimet që Kodi Zgjedhor ka për sjelljet. Jo të gjithë e kemi të qartë se kush duhet të financojë kë, sa është vlera e financimit. Akoma nuk kemi një qartësi në lidhje me limitet dhe kufijtë që media ke në lidhje me raportimin dhe pasqyrimin e veprimtarive elektorale në tërësi”, tha Celibashi.

 

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?