Krerët e grupeve parlamentare të opozitës kërkojnë më shumë kohë për gjetjen e konsensusit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Për këtë arsye kreu i Kuvendit, vendosi të shtyjë seancën parlamentare të 1 tetorit për 5 tetor.
"Të nderuar kolegë, Ju njoftoj se, nga kryetarët e grupeve parlamentare opozitare është depozituar kërkesa për heqje nga rendi i ditës së nismave ligjvënëse lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, parashikuaper seancën plenare te datës 1 tetor 2020.
Me porosi të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për t’u lenë kohë të mjaftueshme grupeve parlamentare për dialog lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e tyre, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, programuar për ditën e enjte, datë 1 tetor, ora 10:00, do të zhvillohet ditën e hënë, datë 5 tetor, ora 10:00. Për procedurat e transmetimit do të keni një njoftim tjetër. Faleminderit", thuhet në njoftimin e Kuvendit.