Votimi për shkarkimin e 4 kryetarëve në veri dështoi pas bojkotit të serbëve, Qeveria e Kosovës: BE të heqë sanksionet e padrejta

22 Prill, 10:27| Përditesimi: 22 Prill, 14:15

  • Share

Pasi dështimit të referendumit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri, qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të heqë sanksionet, duke thënë se e ka përmbushur detyrimin për shtensionimin e situatës.

“Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në reagim.

Për shkak të bojkotit të serbëve, referendumi për largimin e kryetarëve të 4 komunave në veri dështoi pasi proces nuk morën pjesë 50% plus 1 e votuesve. Qeveria e Kosovës bën përgjegjës Beogradin për dështimin e zgjedhjeve, duke thënë se përsëri bojkotoi procesin, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve.

“Në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dje u mbajt procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, sipas udhëzimit administrativ, mbështetur në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë.

Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Për shkak të bojkotit, në reagimin e ndarë, Qeveria e Kosovës thotë se nuk ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve të 4 komunave në veri dhe se do të vijojë me bashkëpunimin në shërbim të qytetarëve pa dallim.

“Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë. Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim”, shkruan Qeveria e Kosovës.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se ajo nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023.  Nisma për largim ose jo të kryetarëve u organizua, pasi bashkësia ndërkombëtare kërkoi largimin e kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke theksuar se, ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar, kur ata i kanë fituar zgjedhjet, ishte i ligjshëm, megjithatë, ai nuk e pasqyroi vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 ishin organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës. Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e kishte bojkotuar procesin zgjedhor dhe u kishte bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • vilman: 22/04/2024 13:38

    Krrici Kurti qe i jep urdher BE-se....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?