TIRANË- Një ditë para se Paketa Anti-shpifje të kalojë për votim në seancën plenare, Erinda Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitietit të Helsinkit u bën thirrje ligjvënësve të mos votojnë këtë Paketë që cenon lirinë e fjalës. Në një intervistë për Report Tv, Skëndaj thotë se të njëjtin qëndrim kanë dhe 10 komitete të Helsinkit në vende të ndryshme të botës.
“Thirrja jonë drejtuar Parlamentit ka gjetur një thirrje tepër të gjerë në nivel ndërkombëtar. Nga 37 organizata, 10 janë komitete të Helsinikit nga vende të ndryshme të botës, të cilat përveç reputacionit të mirë që kanë, kanë luajtur një rol proaktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në bllok, këto organizata i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos votojnë paketën ligjore Antishpifje”, u shpreh Skendaj.
Skëndaj sqaron disa prej problematikave që evidenton në dy projektligjet e hartuara në kuadër të paketës Anti- shpifje.
“Së pari i jep komeptenca gati gjyqësore AMA-s dhe AKEP ndërkohë që vetë këto institucione nuk garatojnë pavarësi institucionale. Së dyti cënohet e drejta për një proces të rregullt dhe ligjor e gazetarit. Standartet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të çështjes që kanë të bëjnë me lirinë e medias inkurajojnë vetrregullim nga gazetarët”, shtoi ajo.
Sipas drejtores së Komitetit të Helsinkit, e vetmja zgjidhje e problematikave të shumta në median online është vetrregullimi nga gazetarët.
“Jemi përballur me pyetjen se cili është modeli më i mirë sa i përket vettrregullimit? Ky model nuk gjendet brenda një kohe të shkurtër kohore dhe aq më tepër në kushtet e emergjencës që është diktuar ku më e rëndësishmja është rrëzimi i kësaj pakete dhe pastaj të kalojmë në një debat sa më gjithëpërfshirës ku të jenë dhe grupet e interesit, dhe vetë gazetarët të cilët të drejtojnë vetë këtë nismë”, tha Skendaj.
Paketa Antishpifje tashmë ka kaluar shqyrtimin në Komisione duke pësuar disa ndryshime sipërfaqësore, pasi thelbi mbetet i njëjtë. Ditën e nesërme pritet që kjo paketë të votohet nga ligjvënësit, ndërkohë gazetarët kanë paralajmëruar një protestë kundër dy projektligjeve të hartuara nga qeveria.