Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim elektoral me banorët e Njësisë nr. 15 në Tiranë, zona e Vaqarrit, Pezës dhe rrethinat e tyre, ku prezantoi edhe kandidatët për deputetë të koalicionit ADSHM.
Ashtu sikurse në fjalimet e kaluara, ai pësoi një ‘demencë momentale’ në lidhje me datën e zgjedhjeve parlamentare, duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë dhe diasporës që të votojnë më “12 maj”.
Berisha hodhi akuza ndaj qeverisë “Rama” dhe anëtarëve të kabinetit të tij, teksa tha se kryeministri nuk udhëton me avion të linjës tregtare, por preferon ata të posaçëm, duke harxhuar 21 mln euro me udhëtime. Ish-kryeministri i shpallur dy herë ‘non grata’ tha se u rikthye me mision në politikë jo për pushtet personal dhe para, por për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.
Një tjetër pikë në fjalimin e tij ishte paralajmërimi i emigrantëve që të mos e zbatojnë urdhrin e qeveritarëve për të fotografuar votën e tyre, pasi ky veprim është i dënueshëm në vendet europiane ku jetojnë dhe më gjerë.
Ai ngriti akuzë ndaj PS-së se po kërkon që diaspora ta fotografojë votën e 11 majit.
“Ju bëj thirrje, refuzoni dhe mos bëni asnjë fotografi të votës tuaj. Sepse ju duhet të jeni qytetarë të mirë të vendeve ku jetoni, dhe në vendet ku jetoni dënohet me ligj fotografimi i votës. Ndaj mos zbatoni kodin dhe kërkesën e këtyre mafiozëve, që duan të kontrollojnë vullnetin tuaj, që të fotografoni votën tuaj, qëndroni njerëz të lirë dhe votoni ndryshimin. Ndaj votoni më 12 maj, më falni... më 11 maj ( e ngatërron përsëri), për të pëmbysur këtë diktaturë të dytë. Jeni misionarë për të shpëtuar shqipërinë. Sali Berisha është një misionar, njëri prej jush, me vendosmëri të madhe, jo për pushtet e para, por bashkë me ju për të pasur një të ardhme të re, për këta të rinj, djem e vajza, që ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri”, u shpreh kreu i selisë blu.
Ai hodhi edhe akuza ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.
“Frida Krifca e ka vendin prapa hekurave për shpërdorimin e fondeve. Rama e mbrojti, e mori këshilltare. Prokuroria po e hetonte për fondet e vjedhura, ky e mori këshilltare. Çfarë tregon kjo, se ai ka vjedhur bashkë me të. Djegësi nuk ka një tullë pas 6 vitesh nga urdhërimi i ndërtimit, por paratë u paguajn. Pra paratë janë vjedhur, djegësi nuk ekziston. Kishte një ministri që merrej me këtë, me administrimin dhe pagesat, ishte Lubi Balluku pas saj. Nuk bëri asnjë raport për inceneratorin, se pas ishte Edi Rama, që thotë se i hanë dardha pas shpine. Balluku e dinte se paratë i vidhte Rama, pas tyre ishte ai. Nuk ngopet vetë duke ngrënë dardha ai. Janë 130 milionë euro për djegësin. Po për fluturimet, avionët, janë 21 mln euro. Nuk udhëton ky me linja tregtare, e do të posaçëm. Naftën ua fal dhjetëra miliona litra oligarkëve për jahtet e tyre, se ha darka e dreka me ta, kurse qytetarëve e fermerëve ia shtrenjton. Familjarët e Ramës janë hajdutë, të përfshirë në tenderë”, u shpreh kreu i PD-së mes të tjerave para banorëve dhe mbështetësve.
Komente
