Politikë

'Votoni më 9 maj...!’ Berisha harron përsëri datën e zgjedhjeve dhe ‘hap thesin’: Ju e dini që unë i mbaj premtimet! Tani dhe shkencëtar, ironizon Ramën: Do i bjerë tavolinës me kokë kur të shohë fotot tona

15 Prill, 13:31| Përditesimi: 15 Prill, 19:45

  • Share

Kryetari i partisë Demokratike zhvilloi një tur elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Tregun Industrial në Tiranë ditën e sotme (15 prill).

Por detajet që ranë më shumë në sy ishin harresa përsëri e datës së zgjedhjeve, duke ftuar një prej tregtarëve që të votonte “më 9 maj”, si dhe ‘hapja e thesit’ të premtimeve për biznesin dhe më gjerë, duke deklaruar ulje ekstreme taksash, rritje shpenzimesh, ulje çmimesh për të gjitha fushat, subvencione dhe falje gjobash e kamatash.

Madje kreu i selisë blu u shfaq edhe në versionin “shkencëtar”, duke u shpjeguar tregtarëve se “minimumi jetik është shkenor, i përcaktuar me fiziologji dhe sociologji”, duke thënë se do të jetë 200 euro, pasi “nëse njeriu nuk ushqehet, fillon e ha veten”.

Berisha nuk i kurseu as ironitë për kryeministrin Edi Rama, duke marrë shkaas nga fotografitë që tregtarë dhe qytetarë kërkonin të bënin me të, teksa i ekzaltuar u shpreh:

“Ai tjetri do i bjerë tavolinës me kokë kur të shohi fotot tona...!” Ndërsa pohimit të një qytetari se Rama “këput rrena”, ai iu përgjigj se “do ia presim biletën atij, e ke parë si flet me vete, ka 2 muaj që flet me vete”.

Por nuk munguan edhe deklarata si ato të kohës se monizmit, ku një qytetare iu drejtua Berishës me fjalët:

“Të kam parë në ëndërr, t’u bëfte dita 1 mijë, o Zot...!”.

Berisha e shoqëroi vizitën e tij në treg me përsëritje premtimesh nga tregtari në tregtar, edhe pse këto premtime nuk i mbajti dot në shumicën e tyre gjatë qeverisjes 2005-2013.

“Do ta ndryshojmë gjendjen, sepse keni nevojë. Do ulim tavanin, do falim gjobat. Do kthejmë çmimin e energjisë nga 18 lekë në 6 lekë, aq sa e kemi pasur dikur. Do ndryshojmë tavanin nga 140 mijë euro në 180 mijë euro për lirimin nga taksat mbi xhiron, tavani i taksave. Biznesi i vogël themelor për punësimin. Do ju lirojmë nga barra fiskale, do ulim çmimin e energjisë tre herë, të ujit 2 herë, kemi një kuadër emergjence. Do falim të gjitha gjobat ndaj jush. Ata që kanë vendosur gjoba ndaj jush, do ikin drejt shkuarjes, sepse ju i keni mbijetuar këtij regjimin dhe ju kanë dëmtuar me gjoba ndaj jush dhe kanë favorizuar oligarkët. Çdo gjobë do amnistohet. Do ta bëjmë më mirë. Bashkisë do ja vëmë kufirin te thana, që paratë tuaja me taksat në 8% të xhiros i kthejnë në rrush e kumbulla. Edhe çmimin e taksës së truallit do e ulim nga 150 lekë metri, në 1200 lekë, pra pllakat publike apo hapësirat publike”, tha ai.

Por nuk harroi edhe premtimet e tjera, pa shpjeguar se ku do gjendeshin kaq shumë para për t’i realizuar. Ai u përpoq të bënte edhe shpjegim shkencor për minimumin jetik.

“Është përcaktuar me të gjitha shkencat, fiziologji, sociologji, duhet të jetë 200 euro minimumi jetik. Nuk do ketë pension nën 200 euro, nuk do ketë ndihmë ekonomike e papunësi nën 200 euro pension, jo pension, quhet minimum jetik (e ngatërron). Në 100 ditët e para do e përmbysim këtë gjendje. Nëse njeriu nuk ushqehet, nis e ha veten, ëhstë shkencore kjo dhe ne jemi bazuar tek këto të dhëna me fiziologji e sociologji”, tha ai ndër të tjera.

Një tregtar i riu iu drejtua jo si zakonisht, duke kërkuar që të mos filmohej me të.

“Kam pak siklet nga kamerat!”, u shpreh ai.

“Na lini pak ju lutem të bisedojmë Do ia vëmë kufirin te thana bashkisë, do falim gjobat, do ulim taksat”, i përgjigjet krue i selisë blu.

Teksa tha se do rikthente taksën e sheshtë 10% të vitit 2005, ai akuzoi edhe qeverinë që favorizon oligarkët për çmimin e naftës, sepse siç u shpreh, “miliarderët ia shtrojnë me dreka Edi Ramës”. Një tjetër iu ankua për çmimet e ilaçeve, mungesën e tyre apo faktin se një pjesë janë të skaduara, Berisha akuzoi qeverinë për lidhje me “mafien e ilaçeve’.

“Në kohën tonë nuk pranoheshin ilaçe që nuk tregtoheshin në spitalet e Europës. Sot merren në telefon të sëmurët dhe u thuhet 3 muaj s’ka mjekim. Përveç skadencës së medikamenteve, çfarë bënë këta, ia dhanë asaj... Nushit (i harron emrin). Kjo është mafia e ilaçeve. Shpenzimet e shqiptarvëe janë rritur me 41%... (me 47%, e korrigjon qytetari) ...Po, ja e sheh, e dike mirë... Të falenderoj për sugjerimin”, vijoi ai.

Dikush e merr në telefon tregtarin:

“Jam me Salën, jam me Salën...!”, i thotë ai.

“Përshëndete, përshëndete nga unë”, ia kthen Berisha.

Një ish i përndjekur i ankohet për dëmshpërblimin e pashlyer.

“Premtim solemn, brenda 4 vjetëve çdo i përndjekur do shlyhet dhe do marrë çdo qindarkë”, i përgjigjet ai.

“Urojmë ishalla të realizohet premtimi”, i thotë një nga tregtarët.

“Ti e di se unë i kam mbajtur premtimet e mia, i kam mbajtur, ti e di, jam shumë i vendosur. Çfarë kemi premtuar, absolutisht në do e realizojmë, do e mbajmë premtimin”, përgjigjet kryetari i PD-së.

Teksa përshëndet edhe tregtarët dhe qytetarët e fundit në vizitë, pyet shoqëruesit e tij: “Nga do shkojmë”.

Ai premtoi edhe 30 mijë euro kredi të buta për çiftet e reja, financim për fëmijën e tretë nga 1-23 vjeç dhe ndihmë 60-70 euro për dy të tjerët, falje taksash për emigrantët që kthehen për të investuar në 5 vitet e para, teksa qeveria e ka me 10 vite “Paketën e maleve” për këtë falje taksash.

Dhe duke iu afruar fundit të turit të tij në treg, nuk i shpëtoi dot “demencës” së momentit.

“Ju ftoj, më 9 maj... më 11 maj të votojmë për të mbështetur biznesin e vogël. Këtë betejë duhet ta fitojmë”, tha ai, teksa harroi përsëri datën e zgjedhjeve.

Kurse për fotot që i kërkonin të pranishmit, ironizoi Ramën:

“Ai tjetri do i bjerë tavolinës me kokë kur t’i shohë këto foto...!”, shprehet ai me ironi e të qeshura, teksa e mbyll me përgjigjen ndaj një tjetër qytetari që i thotë se “Rama këput rrena”:

“Do ja presim biletën, e ke parë si flet me vete, ka 2 muaj që flet me vete”.

Ora 19:42
VIDEO/ ‘Jam me Salën’, tregtari i pret fjalën Berishës për të folur në telefon

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha këtë të martë vizitoi tregun industrial të Tiranës. I shoqëruar nga kandidatë për deputete për qarkun e Tiranës, Berisha u premtoi tregtarëve se ndër aktet e para të qeverisjes së tij është vendosja e minimumit jetik.

Por gjatë takimit, Berisha u përball edhe me një "incident" të pakëndshëm. Ndërsa ai fliste, një prej tregtarëve i ra telefoni.

Ai e hapi për të folur, ndërsa Berisha i vënë në siklet, vazhdonte e fliste.

Jam me Salën, jam me Salën...!”, i thotë ai.

“Përshëndete, përshëndete nga unë”, ia kthen Berisha.

A.Q/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?