Suita, oratorio, moteti, kantata, fuga, madrigali dhe opera, nga C. Monteverdi, J.S. Bach, F. Rebel, G.P. Telemann, M. Marais, J.B. Boismortier, F. Couperin, A. Vivaldi e shumë të tjerë, kanë portretizuar këto pesë vite të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke – VOX BAROQUE në Shqipëri. Një festivali, i cili falë edhe virtuozizmit të muzikës instrumentale me klaviçembalin, bririn e vogël, oboen, flautin e ëmbël, viola da gamba, fagotin dhe trombonin arritën të përcillnin te publiku shqiptar shpirtin e një muzike, e cila lindi për të mos vdekur kurrë.
Edicioni i pestë i këtij viti falë përkushtimit frymëzues të themeluesit të festivalit Jusuf Beshiri, arriti të sillte në Shqipëri instrumentistët dhe sopranot më të mira të muzikës baroke në Evropë. Në këtë kontekst Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke, tenton të hapë një dritare të re komunikimi mes kohëve, asaj të së shkuarës mbushur plot hijeshi madhështie dhe të së tashmes, e cila gjemonfurishëm në gjirin e kapitalizmit të rrëmbyeshëm në të përditshmen e secilit prej nesh. Pra, një festival në edicionin e tij të pestë, si një gërshetim mes artistëve të rinj dhe atyre tashmë të afirmuar, mes tingujve të barokut italian, francez, gjerman dhe përshtatshëmërisë me temën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në vitin festiv të tij, në dy arie tëkompozuar nga kompozitori italian A. Vivaldi dhe një të kompozuar nga kompozitori francez F. Rebel.
Padyshim të themelosh një festival të kësaj natyre muzikore në Shqipëri nuk është aspak e lehtë, për nga vetë tipologjia e kësaj muzike, e cila lindi në një periudhë kohore rreth fundit të shekullit të XVI-të dhe përfundoi nga mesi i shekullit XVIII-të, duke përkuar dhe lulëzuar njëkohësisht me zhivillime të rëndësishme filozofike siç ishte Iluminizmi evropian dhe mbretërimi në fronin e Francës të Louis XIV (Mbreti Diell). Por paharruar edhe përfshirjen e të gjitha shteteve të Evropës nga ndikimi i këtij stili muzikor dhe zhvillimi i arteve pamoretë nxitura nga Papa Sisto V. Të gjitha këto drejtime artistike formësuan një stil artistik sa të veçantë për nga aspekti estetik, aq dhe të thellë e shpirtëror.
Prej pesë vitesh radhazi të gjitha këto vlera muzikore janë interpretuar për publikun shqiptar në formën e një udhëtimi artistik në disa qytete të rëndësishme shqiptare, ku nuk mungon ndërthurja midis vendndodhjeve me rëndësi për trashëgimin kulturore shqiptare dhe tingujve të muzikës baroke. E gjitha kjo falë VOX BAROQUE, i cili përpos shumë instrumentistëve, kompozitorëve, këngëtarëve lirik dhe dirigjentëve profesionistë nga mbarë Evropa, ka arritur të përbashkojë njëkohësisht edhe vlerat më përfaqësuese dhe virtytet e vërteta të Evropës së Bashkuar.
Një festival që gati ka tejkaluar synimin e tij fillestar për të ripërtëritur në bashkëkohësinë tonë frenetike muzikën e vjetër baroke, me tingujt e ngrohtë, herë-herë melankolikë, përgjithësisht me tema të frymëzuara nga pasioni i Krishtit dhe me ngjyrime tonale në prag të dramatikes. Sot në edicionin e pestë, përveç profesionalizmit muzikor është kthyer në një oaz tejskajshmërisht të rëndësishëm në promovimin e vetë Shqipërisë në vendet perëndimore, duke sheshuar kufinj, shpërbërë mendime dhe perceptime të të bërit art në Shqipëri, por edhe duke u kthyer si i vetmi festival ndërkombëtar që ka ripërtëritur muzikën baroke në të gjithë Evropën.
Festivali në vetvete ka arritur të fitojë stimën dhe vëmendjen e spektatorit të gjerë, falë edhe qasjes popullore e të thjeshtë tëfemeluesit Jusuf Beshirit. Një qasje, e cila e nxorri këtë muzikë për herë të parë jasht mureve mistike të katedraleve dhe kishëzave, ku ishte menduar gjithmonë që në krye të herës të luhej e të interpretohej nga autorët e asokohe, por, në qiell të hapur en plain air, duke e veshur me përshtypjet, ndjenjat dhe emocionet e bashkëkohësisë tonë.
VOX BAROQUE duhet parë si një vlerë e jashtëzakonshme dhe e munguar në skenën e muzikës klasike dhe e pa kultivuar në Shqipëri. Vendi ynë ka një histori relativisht të shkurtër në kultivimin e muzikës profesionale, por kur flasim për shkrimin dhe kompozimin në stilin e muzikës baroke, ajo ka një mangësi të plotë. Ndaj mendoj që klaviçembalisti Jusuf Beshiri pasi studioi dhe huazoi më të mirën rreth këtij stili muzikor në konservatorin e Milanos, kërkoi dhe ngulmoi ta sillte atë edhe nëShqipëri, duke e kthyer vendin tonë në qendrën tërheqëse për të gjithë barokistët nga mbarë bota.
Një skenë e munguar edhe për vetë barokistët në Evropë, ku vlen të përmendet luajtjae disa prej veprave më të njohura të muzikantëve të hershëm dhe të sotëm barokistë të Shkollës Hollandeze të Barokut si; Gustav Leonhardt, Ton Koopman,Frans Brüggen, Bon van Asperen, Anner Bijlsma dhe vëllezërveWieland, Barthold, Eckhart, Oswald e Sigiswald Kuijken,por që atë e gjetën në Shqipëri, falë interpretimit dhe luajtjes së veprave të tyre në gjininë e arieve, muzikës së dhomës, muzikës instrumentale e për më tepër me instrumente origjinal të kohës së Barokut.
Magjia e Barokut mishërohet jo vetëm, duke luajtur mbi tastierën e klaviçembalit të Ruckers, instrumenti simbol i kësaj periudhe, por dhe të dëgjuarit e tingujve që lëshon flauti barok të cilat duken sikur vallëzojnë, duke fluturuar mbi kryet tona. Është një magji. Një atmosferë, ku tingujt të rrëmbëjnë pakuptuar dhe të shpien drejt një përmase tjetër. Një hapësire tjetër, një kohe pakohë, nga uni njerëzor, i cili shkëputet nga realiteti fizik për të prekur ndoshta ekstazën nëpërmjet vibrimit të zërit engjëllor të sopranovelirico-coloratura. Tinguj instrumentesh dhe tinguj zërash sopranosh… të gjitha këto si në njëvegim përrallor, ku shpirti dorëzohet përballë magjepses. Sopranot, si zana malesh të cilat depërtojnë thellë në subkoshiencën e qenies njerëzore aq sa të përpijnë me ëmbëlsinë e zërave të tyre qellore […].
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke – VOX BAROQUE në të vërtet nuk gjallërohet vetëm në një kohështrirje stinore, por ai mbetet një laborator i mirëfilltë për njohjen dhe studimin e kësaj muzike nga të gjithë studentët apo muzikantët shqiptar. Pak më sipër theksova se VOX BAROQUE kishte tejkaluar synimet e saj fillestare…! Po, sepse të mbërrish suksesshëm në edicionin e pestë, dëshmon t’i kesh mbijetuar shumë e shumëvështirësive që realiteti i ashpër shqiptar t’i servir […].
E rëndësishme për t’u theksuar është se; “triumfi” më i madh i këtij festival, që për hirë të së vërtetës është shumë specifik, përthithja e një grup-audience, e cila varion nga moshat e reja deri tek ata më të thyera. – Por, mbi të gjitha pasurimi i historisë së muzikës shqiptare me një stil muzikor, i cili mungonte tërësisht.
Edicionet e vit pas viti, na njohën me veçoritë e muzikës baroke, nga dhënia përparësi i të kënduarit njëzëri melodik, duke e shoqëruar atë me akorde që ka të bëjë me homofoninë apo monodia, e cila vjen e shoqëruar me instrumentin e kitarës, ashtu siç luhej dhe këndohej në këngët e shenjta të njuhura ndryshe si kori gregorian (Antifonarium Cento). Një element tjetër për t’u përmenduar është basi që mbanë harmoninë apo basi i vazhueshëm, ku kjo veçori përbën tiparin dallues të muzikës baroke me basso continuo.
Gjithashtu festivali VOX BAROQUE në edicionin e tij të fundit 2018 na përfshiu me karakterin e tij madhështor, duke përcjell te publiku ndjenjën e monumentalitetit, me kontraste tingujsh të fuqishëm aq sa ishin lehtësisht të ndjeshme kundërvëniet e planeve shumë tingëllore, duke ndjellur shpeshherë ndjesinë dhe emocionet e forta të një dramaticiteti plot dritëhije.
Baroku i VOX BAROQUE është i pasur plot imagjinatë, stërhollime tingujsh dhe ngarkesa ndjenjash të cilat kanë fuqinë e jashtëzakonshme për të magjepsur si në atë kohë edhe në këtë kohë spektatorin, i cili zhytet pakuptuar në thellësitë e bukurisë së Barokut, si shpirti i një shekulli të kaluar mbërritur rishtas në Shqipërinë e shekullit të XXI.
*Historian & kritik arti