Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër, dënon me 37 vjet burg gjithsej, Et’hem dhe Dino Muhaj të akuzuar për vrasjen e Alket Muho më 6 shtator të 2018 në fshatin Rabije në Memaliaj.
Vendimi është dhënë nga kryesuesja e seancës gjyqësore Blerta Cibuku e cila i dha fund maratonës tre vjeçare gjyqësore në ngarkim të personave të mësipërm. Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur nën masa të rrepta sigurie duke parë se prezentë në dhënien e vendimit kanë qenë familjarë të dhe afërm nga të dy familjet.
Më parë prokurori i çështjes Julijan Cafka në pretencën e tij, pati kërkuar nga 23 vjet burg për Et’hem dhe Dino Muhon për kryerjen e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, nga 6 vjet burg për secilin për armëmbajtje pa leje dhe municione dhe nga 1 vit burg për mbajtje dhe prodhimit pa leje të armëve sportive dhe municioneve ku në total shkon nga 30 vjet burg për secilin. Por me aplikimin e nenit 55/1 të Kodit Penal për caktimin e një dënimi të vetëm Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi nga 27 vite burgim për Et’hem dhe Dino Muhon. Pas shqyrtimit të të dhënave nga prokuroria dhe fjalës së mbrojtjes për të pandehurit, gjykatësja e çështjes Blerta Çibuku ka dhënë vendimin final për këtë ngjarje që tronditi në shtator të 2018 fshatin Rabije dhe mbarë zonën.
Gjykatësja Çibuku ka dhënë 20 vjet burgim për Et’hem Muhon dhe 17 vjet burgim për të birin e tij Dino Muho. Ndonëse vendimi do ditë të zbardhet, prindërit e viktimës, e kanë kundërshtuar me forcë këtë vendim të dhënë nga ana e gjykatëses pasi nuk përcaktoi në asnjë rresht të tij armën e vrasjes duke favorizuar sipas tyre vrasësit. Sipas prindërve të viktimës, vendimi është tërësisht skandaloz pasi është lënë shtegu i lirimit të tyre pasi gjykatësja nuk përmendi fare armën e vrasjes në asnjë rresht të vendimit dhe as nuk përmendi faktin e vrasjes me paramendim çka favorizon dukshëm palën e akuzuar.
Në një prononcim për Report TV, prindërit e viktimës Gjolek dhe Deko Muhon, hedhin akuza ndaj gjyqtares Çibuku duke kërkuar ndihmën e SPAK për të marrë masa ndaj saj. Kujtojmë këtu se në qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit në Gjirokastër liroi nga paraburgimi Et'hem dhe Dino Muho duke i lënë ata me arrest shtëpie me arsyetimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurit pasi Gjykata e Faktit zvarriti në 2.5 vjet proceset gjyqësore duke mos dhënë një vendim përfundimtar ç'ka u kaluan afatet ligjore. Ndërsa sot u mbyll pas 3 vitesh procesi gjyqësor ç'ka do të ankimohet nga prindërit në Gjykatën e Apelit. Alket Muho, 43-vjeç, u vra me 7 plumba më 6 shtator 2018.
Muho është qëlluar me një automatik model “56”, nga një distancë e afërt. Në vendngjarje u zhdukën gëzhojat. Ndër dyshimet kryesore të organit të akuzës ishte se Alket Muho është vrarë për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie. Mirëpo mbrojtja pretendon se Etem dhe Dino Muho nuk kanë lidhje me vrasjen pasi nuk kanë qenë në fshat më 6 shtator 2018, kur u gjet i pajetë 43-vjeçari.
Viktima Alket Muho dhe një nga autorët Dino Muho
Prindërit e Alket Muhos kanë akuzuar gjyqtaren se ka zbutur dënimin e vrasësve të djalit të tyre. Sipas tyre Gjykata i nxori si të pafajshëm për armëmbajtje dhe ulën dënimin. Ata akuzuan gjyqtaren Blerta Çibuku është e korruptuar, të ndërhyjë SPAK.
"Gjykata dënoi kriminelët e vrasjes së djalit tim. Ata e kanë zbutur dënimin me ligj pasi e kanë nxjerrë të pafajshëm për armëmbajtje. Me çfarë e vranë ato djalin tim? Me shkop? Gjyqtarja Blerta Çibuku është e korruptuar. Dhe Gjykata e Gjirokastrës është e korruptuar komplet. Një korruptim galopant", ka thënë i ati.
"Për mbajtjen e armëve znj. Blerta Çibuku i ka nxjerrë të pafajshëm. Mua si nënë po bëhen 4 vite nuk më ka pyetur asnjë herë. Por na thoshte pusho mos fol. Ka vrarë zemrën e një nëne ashtu siç më vranë djalin e vetëm. Të vijë SPAK dhe ta pyesë gjyqtaren se me çfarë u vra", tha nëna.