Fier- Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me 25 vjet burg të Armando Boriçit i cili akuzohet për vrasjen e 77 vjeçarit Haxhi Balla dhe plagosjen e djalit të tij. Ndërkohë është kërkuar 17 vite burg të vëllanë e tij duke e cilësuar si bashkëpunëtor në këtë krim
Vrasja ndodhi më 20 korrik 2022 në lagjen “Afrim i Ri”, Fier.
Ngjarja ndodhi nga një konflikt i çastit ku babë e bir ndezën një zjarr në shkurret aty pranë banesës së tyre, gjë që duket se nxiti konfliktin me dy vëllezërit. Balla humbi jetën për shkak të plagëve të marra nga goditjet me thikë në trup.
Prokuroria e Fierit kishte regjistruar procedimin penal nr. 825, vitit 2022, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer kundër dy personave në ngarkim të Armando Boriçit dhe “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76-22-25 të K.Penal në dëm të Aleks Ballës në ngarkim të të pandehurit G.B.
Të pandehurit janë hetuar me masën e sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale.
Do të jetë gjykata që do të vendosë masën e dënimit.