Shtyhet seanca e parë në gjyqin e themelit ndaj vrasësit të grave Dan Hutra. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e një anëtareje të trupit gjykues.
Në pamjet e siguruara nga Report Tv, dëgjohet Hutra teksa i flet gazetarëve të lënë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe të mos gënjejnë.
Sakaq, ai i drejtohet dhe gazetarit Arsen Rusta teksa i thotë se nuk duhet të flas pa baza.
'Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. O Arsen ti mbahesh nga gazetarët më të mirë, nuk flet pa baza', është dëgjuar të thotë Dan Hutra në gjyq.
40-vjeçari Dan Hutra, është në pritje të gjykimit për masakrën e 1 marsit 2023 ku brenda pak orëve ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në Kodër Kamëz, autori lëvizi në rrugën “Besëlidhja”, Bathore ku ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
Në vitin 2007, Dan Hutra ishte dënuar pasi ka vrarë me armë ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e goditi dy herë me thikë në zemër e mëlçi.