Vrasja e 14 vjeçarit, Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij me thikë pranë shkollës ‘Fan Noli’ më 18 nëntor ka tronditur gjithë opinionin publik.
Pas kësaj ngjarje kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat, propozoi sot mbylljen e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat në Shqipëri.
Këtë propozim të kryeministrit Rama e komentoi sot në 'Studio Live' psikologia Marsela Lekli.
Ajo tha për gazetarin Arbër Hitaj se kjo nismë nuk është vetëm për adoleshentët por edhe për ata që janë të varur nga rrjetet sociale.
“Kjo mund të jetë një masë jo vetëm për adoleshentët, por edhe të jetë edhe një masë për personat që kanë një varësi nga rrjetet sociale që marrin modele nga këto rrjete sociale. Kjo është një nismë e mirë, është një nismë parandaluese, por nuk mund të them që është 100% e parandaluar, sepse kemi mbyllur Tik Tok-un, kemi mbyllur Snapchat-in, por ekziston Facebook, Instagrami”, tha Lekli.
Më tej Lekli shtoi se prindërit duhet t’i monitorojnë fëmijët kur rrinë në internet.
“E rëndësishme që të jenë të kontrolluar nga prindërit apo nga një pjestëtar i familjes në momente që një fëmijë, një adoleshent apo një person problematik kur klikon emisione apo ngjarje që shikon në internet.
Tik tok është një faktor, Snapchat është një faktor, sepse ata komentojnë shfaqin anën pozitive apo negative, mesa di është diçka që fshihet brenda 24 orëve apo në moment. Dhe komunikojnë ose për ti bërë dëm dikujt ose për ti bërë mirë dikujt, po më shumë anon në anën negative të mundshme të situatës.
Unë jam e mendimit që duhet të jetë familja ajo që duhet të sigurojë rrjetet sociale të fëmijëve, duhet t’i monitorojë gjatë gjithë kohës, duhet të jenë në prizmat e komunikimt të alternimit të mundshëm të problemeve të mundshme”, shtoi Lekli.