Fadi Alwan dhe momenti kur zbret në Rinas me 49-vjeçarin

Kronikë

Vrasja e 24-vjeçares/ Dy palestinezët kishin aplikuar për azil në Gjermani, po punohet për lokalizimin e 49-vjeçarit

3 Mars, 17:29| Përditesimi: 3 Mars, 17:36

  • Share

Palestinezët Fadi dhe Rayyan Alwan, për të cilët hetuesit e Policisë së Tiranës e kanë akoma të paqartë nëse janë babë e bijë apo çift partnerësh, rezultojnë të kenë aplikuar për azil në Gjermani jo shumë kohë më parë. Fadi, 49-vjeç, zgjodhi Tiranën për të vënë në veprim planin ogurzi për eliminimin fizik të Rayyan, 24 vjeçe, e cila u gjet e pajetë në një dhomë të marrë me qira pranë Njësisë nr. 10 në kryeqytet.

Autoritetet shqiptare po punojnë intensivisht me ato të huaja, në përpjekje të lokalizimit të tij e autorit të dyshuar. Burime bëjnë me dije se komunikim është lidhur me Interpol, Greqinë, Gjermaninë dhe Holandën, për të krijuar një hartë të plotë të lëvizjeve të tij. Kontakt policia pati edhe me përfaqësues të ambasadës palestineze në Tiranë, por asgjë me vlerë për hetimin nuk është përftuar deri më tani në bashkëpunim me ta.

Trupi i pajetë i 24-vjeçares vijon të jetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë dhe pas përfundimit të autopsisë është gati për t’u varrosur, por asnjë familjar nuk është gjetur apo interesuar deri tani për tërheqjen e tij. Në mungesë të informacioneve të plota, blutë në Tiranë kanë hedhur dyshime dhe mbi identitetin e 2 palestinezëve. Dokumentet që kaluan në Rinas janë greke, por nuk përjashtohet mundësia të jenë false. Për këtë, por edhe për saktësimin se çfarë lidhje kanë me njeri-tjetrin 2 Alwanët, babë e bijë apo çift partnerësh, do të jenë autoritetet gjermane që do e përcaktojnë në kthim përgjigjën e letërporosisë së nisur prej disa kohësh.

Fadi Alwan u largua nga vendi në datën 22 shkurt, ditë që mendohet se vrau 24-vjeçaren Rayyan, duke e qëlluar me thikë në bark. Ata zbritën në Rinas në datën 19 shkurt, ndërsa rezervimin e shtëpisë me qira Fadi e bëri që në Gjermani me një tjetër numër, gjurmimi i të cilit zbardhi dinamikat e para të ngjarjes dhe gjurmimin e tij. Pasi doli më 22 shkurt nga shtëpia me qira, mori taksi dhe u nis për në Rinas. Nga aty udhëtoi drejt Amsterdamit, me transit nga Athina.

Dyshimet e policisë janë se me tren më pas udhëtoi në Gjermani, aty ku po punohet për ta lokalizuar. Trupi i pajetë i Rayyan Alwan u gjet 5 ditë pas largimit të Fadi, nga pronarja e shtëpisë, e cila prej ditësh nuk i kishte parë. Në dhomë blutë nuk gjetën asgjë personale të vajzës, pasi 49-vjeçari i mori, përfshi pasaportën dhe celularin, kjo një përpjekje e tij për të vështirësuar punën e policisë pasi të gjenin trupin.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?