Vijojnë me intensitet hetimet në lidhje me vrasjen e Mehmet Qemës, i cili u vra me një plumb në gjoks nga shoku i tij Marjus Dema pasi ishin duke konsumuar alkool 3 ditë më parë.
Policia e Shtetit është kthyer sërish sot në zonën e '5 Majit' për kontrolle në ambientet e marra në pronësi nga njëri prej miqve të viktimës dhe autorit.
Mësohet se policia po bën kontrolle në magazinat që ndodhen në afërsi të lokalit në lagjen “5 Maji”, për të parë nëse aty ka prova që të çojnë në një veprimtari të jashtëligjshme me të cilën merreshin të rinjtë.
Policia ka shpërthyer me forcë një derë të një prej magazinave, ndërsa ka pak detaje nëse është gjetur apo jo ndonjë provë që mund të hedhë dritë mbi aktivitetin e mundshëm kriminal të të rinjve.
Pas vrasjes së Mehmet Qemës, prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës që të caktoj ‘arrest me burg’ për Marjus Demën me akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Arma e sekuestruar tip pistoletë është dërguar në laboratorin e policisë për t’u ekzaminuar nëse ëhstë përdorur apo jo në krime të tjera.
Ndërkohë që 4 shokët e tij prokuroria po kryen hetimet për të zbuluar veprimet e tyre në fshehjen e krimit dhe manipulimin e vendngjarjes. Laboratori i monedhave digitale, kriptomonedha gjetur pas krimit rezulton se ishte ndërtuar para disa muajsh dhe sapo kishte nisur prodhimin.
Asnjë nga të ndaluarit nuk e kanë pranuar pronësinë e laboratorit të kriptomonedhave, por sipas prokurorisë dyshohet se të gjithë të arrestuarit kanë patur dijeni.
27-vjeçar Mehmet Qema nga Hasi, u vra me një plumb në gjoks nga shoku i tij Marjus Dema pasi ishin duke konsumuar alkool dy ditë më parë. Qema pasi u qëllua nga miku i tij u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve, pasi plumbi i kishte prekur organet jetësore duke humbur jetën.
Report Tv siguroi dëshminë paraprake të autorit, i cili me lot në sy ka thënë në polici se nuk e dinte që arma ka qenë e mbushur me plumba dhe se ngjarja ndodhi nga pakujdesia.
Në polici, përveç autorit janë vetëdorëzuar edhe Frenkli Myftari, 29 vjeç, Erlind Pekën, 27 vjeç, Bralid Aga, 28 vjeç, Blerim Hoti, 23 vjeç dhe Xhuljano Koçi, 19 vjeç, të gjithë miqtë të viktimës dhe autorit dhe ishin në një tavolinë gjatë kohës që ndodhi vrasja, të cilët u shpallën në kërkim pas ngjarjes.
Në videon e siguruar nga Report Tv pak minuta para se të ndodhte vrasja, dukej 28-vjeçari Marjus Dema, ka marrë armën dhe ia ka drejtuar viktimës, i cili ndodhej në lokal bashkë me pesë shokë të tjerë. Mësohet se kur e ka qëlluar Qema ka qenë i ulur në tavolinë me shokët dhe ka marrë një plumbi që ka rezultuar fatal.
Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar disa dëshmitarë, ku shumica janë miqtë të tyre, të cilët ishin të pranishëm gjatë vrasjes. Pritet që dëshmitë e tyre, por edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth të sekuestruara nga policia të sjellin zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në lokalin e marrë me qira nga Marjus Dema, kontrollit policia ka gjetur edhe një pajisje për të prodhuar online kriptomonedhën Bitcoin. Pajisja ishte e instaluar në ambientet e lokalit, ndërsa kjo ka bërë që në këtë ngjarje të përfshihet edhe Krimi Ekonomik.