Trafiku i drogës është pista kryesore e vrasjes së 50-vjeçarit Shpëtim Bajrami mesditën e së enjtes në Selanik. Mediat greke shkruajnë se 51-vjeçari nga Elbasani, udhëtonte 3-4 herë në muaj drejt Shqipërisë.
Madje vetëm një ditë para ngjarjes kishte mbërritur sërish në Greqi pas një udhëtimi në vendlindje. Ai përdorte itinerarin Shkup – Pogradec dhe kthehej në Greqi përmes Kapshticës. Edhe pse për të policia shqiptare ka informacion për përfshirje në trafikun e drogës, ai nuk rezulton me precedentë në Shqipëri e Greqi.
Ndërkaq autori i vrasjes, sipas mediave greke rezulton i lidhur me një nga familjet më të rrezikshme të Elbasanit, ndërkohë që rezulton i dënuar në Greqi për drogë. Dëshmitarë të zënkës së viktimës me autorin në një bar të zonës para vrasjes, janë shprehur se dialogu mes tyre ka qenë i tillë:
Viktima: E kam bërë punën, më jep lekët.
Autori: Unë t’i kam dhënë, nuk të kam asgjë borxh.
Autori qëlloi Bajramin nga një mjet tip “Peugeot” e zezë e cila rezulton në pronësi të Elena Kurtit, 48 vjeçe nga Elbasani, e cila dyshohet për trafik droge. Hera e fundit që ky automjet ka hyrë në Greqi me drejtuese Kurtin, ka qenë më 29 qershor nga Kapshtica.
Lajmi kryesor:
Vrasja e shqiptarit në Selanik, ‘mollë sherri’ paratë e drogës që transportohej nga Elbasani në Greqi! Vetëdorëzohet në polici autori, shok me viktimën
G.MO/ReportTv.al