Pasi Gjykata e Korçës vendosi masën arrest me burg për autorin e dyshuar të vrasjes së 52-vjeçares në Pogradec, avokati i këtij të fundit, Denis Mekolli në një prononcim për mediat tha se Ilirjan Selmani asnjëherë nuk e ka pranuar se e ka kryer krimin.
"Fillimisht dua të shprehim një ndjesë për viktimën, pavarësisht nëse është apo jo i mbrojtur nga unë. I mbrojturi nga unë në asnjë moment nuk e ka pranuar autorsinë e kryerjes së veprës penale, as në polici, as para gjykatës dhe as gjithë procedurës të pyetjeve të bërë ndaj tij.
Ka mbajtur një qëndrim që ka të bëjë me personalitetin e tij që është një djalë shumë i mirë dhe kurrsesi nuk mund të kryej një krim kaq të rëndë.
Edhe faktin e bashkëjtesës me viktimën ai nuk e ka pranuar. Ai ka pranuar që ka pasur një njohje, një njohje në kuptimin e fjalës pra si një njohje shoqërore apo çdo lloj njohje tjetër, por jo bashkëjetesë. Bashkëjetesa i referohet edhe ligjit dhe përcaktimeve të bëra në kodin e familjes se si është e ndërtuar bashkëjetesa, kurrsesi nuk jemi më rastet e bashkëjetesës.
Prokuroria ka paraqitur një sërë provash per të ruajtur konfidencialitetin e këtij hetimi. Ne nuk prononcohemi në lidhje me këto prova të garantuara nga ana e policisë deri në këto momente, por me bindje ne si mbrojtje deklarojmë para jush që prova dhe dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova për të mbrojtur prej meje si autor i kësaj vepre penale nuk ka. Kjo është bindja jonë deri në këto momente", tha avokati.
Në fund Mekolli tha për gazetarët se Selmani shprehu keqardhje kur mori vesh se 52-vjeçarja kishte ndërruar jetë.
“Ai nuk ka pranuar në asnjë moment autorsinë e krimit të ngarkuar ndaj tij. Po kështu ka shprehur keqardhje për viktimën duke qenë i shokuar në lidhje me lajmin që ka marrë për të. Nuk mund të prononcohem për provat e garantuara deri në këto momente, ai është një sekret hetimor që i përket prokurorisë, gjykatës dhe mbrojtjes", përfundoi avokati.
Lajmi kryesor:
Korçë/ E qëlloi disa herë më thikë të dashurën 52-vjeçare dhe e dogji brenda në banesë, Gjykata lë në burg të riun
Xh.K/ReportTv.al
