Një vrasje e kryer prej tij në vitin 1997, është i vetmi episod kriminal, që Altin Halili mendon se mund të lidhet me atentatin e dështuar ndaj tij, pasditen e së hënës në Berat.
I sapokthyer në Shqipëri pas 14 vitesh në Itali, 46-vjeçari, i cili bënte lëvizje të kufizuara nga frika e hasmërisë, po shkonte tek një mik, kur persona ende të paidentifikuar nga policia, i zunë pritë me makinë. Kuptoi që diçka nuk shkonte, pasi dalloi 3 persona të maskuar brenda automjetit.
“Shtova shpejtësinë e makinës dhe doja t’i godisja por nuk munda pasi nisën të qëllojnë me breshëri. U ula poshtë sediljes dhe dola vetëm pasi dëgjova makinën e autorëve që u largua”, mësohet të jetë shprehur Altin Halili në polici, dëshmi e cila për hetuesit lë dyshime se atentatorët mund të jenë larguar me mendimin se e kanë vrarë 46-vjeçarin.
Sipas hetuesve, autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku tip Skorpion pa zbritur nga makina dhe duke mos lënë asnjë gëzhojë në vendngjarje. Plumbat fatmirësisht goditën vetëm pjesën e pasme të makinës pa i rrezikuar jetën Altin Halilit.
Burime nga grupi hetimor thonë se dyshohet të kenë qenë të paktën 3 atentatorë, të cilët mendohen të jenë nga qyteti i Fierit, të cilët pas të shtënave, braktisën dhe dogjën makinën e krimit bashkë me armën, në fshatin Kozare.
46-vjeçari rezulton i dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e Sokol Kaloshit në fshatin Rremas të Lushnjes, në vitin famëkeq të ’97-ës, dënim të cilin e përfundoi në vitin 2010 e prej atëherë ndodhej në Itali. Hetuesit kanë marrë në pyetje vëllain e të ndjerit Sokol Kaloshi dhe 2 nipërit e tij, të cilët pasi kanë dhënë për disa orë deklaratat e tyre janë lënë të lirë.
Krimi i rëndë në '97-ën, pasoi vrasjen e babait të Altinit, Qemal Halilit nga të afërmit e familjes Kaloshi.