Viktima Alfred Dedja, SPAK dhe Sali Berisha

Vrasja e Alfred Dedjas, SPAK përgënjeshtron Berishën për të dytën herë në 24 orë: Viktima s’është i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 2020

2 Dhjetor, 18:06| Përditesimi: 2 Dhjetor, 18:27

  • Share

Prokuroria e Posaçme ka përgënjeshtruar për herë të dytë brenda 24 orëve ish-kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit nën akuzë për aferën në dosjen “Partizani”, në lidhje me deklaratat që ka bërë pas vrasjes së ndodhur mbrëmë (1 Dhjetor) në Ndroq të Tiranës, ku u ekzekutua Alfred Dedja, nga i vetëdorëzuari sot, Julian Gjoshi.

Ky i fundit rezulton kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, ku në vitin 2020 u rrëmbye dhe u zhduk trupi i Jan Prengës.

Pasi Berisha pranoi sot se gënjeu për rastin e prokurorit Ols Dado, se ishte personi në përgjimet dhe bisedat e SKY ECC mes Hajrit dhe ish-deputetit të arrestuar Jurgis Çyrbja, për lirimin e të arrestuarit Gjoshi më 2021, do deklaronte po sot se viktima Alfred Dedja ishte dëshmitari i vetëm i rrëmbimit dhe zhdukjes së Prengës.

Por SPAK e ka mohuar për herë të dytë dhe përgënjeshtruar kreun e PD-së, që sapo ka dalë nga arresti shtëpiak njëvjeçar, i cili tha në konferencën e sotme se 50-vjeçari Dedja ishte i lidhur me ngjarjen e vitit 2020.

“Mbështetur në hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, nuk rezulton që personi i vrarë mbrëmjen e djeshme A.D., (Alfred Dedja), të jetë dëshmitar apo të ketë lidhje me ekzekutimin apo fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga”, thotë SPAK ndër të tjera.

Prokuroria thekson në reagim se Dedja gjithashtu nuk rezulton të jetë në listpagesat e Hajrit si punonjës te "Golden", kurse Berisha tha se ka punuar si menaxher atje.

Më tej SPAK jep detaje nga dosja e katër viteve më parë dhe personave të implikuar, mes tyre i shumëkërkuari Altin Hajri, për të cilin i ka kërkuar Policisë ekzekutimin e urdhrit të arrestit dhe masës së GJKKO.

Reagimi i plotë i Prokurorisë së Posaçme:

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj.

Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjes për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alo: 03/12/2024 00:00

    Kaq rëndësi ka çfarë mendon ky njeri i bastarduar??? Vaftë në ferr.

    Përgjigju
  • Partia: 02/12/2024 20:10

    Fajin e ka saliu

    Përgjigju
    • Pastrusi I partis: 03/12/2024 04:16

      Fajin e ka Enveri qe nuk la pasardhes

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?